Mbrëmë në Prime e radhës të ”Big Brother Albania Vip 3”, një ngjarje kontradiktore ka tërhequr vëmendjen e publikut. Rike Roçi u ngrit për t’i bërë urimet e muajit të shenjtë të Ramazanit duke i dëshiruar mamit të saj që agjërimi t’i jetë i lehtë, ndërsa prezantuesi dhe banorët e tjerë u bashkuan me të për t’ju uruar të gjithë besimtarëve myslimanë për muajin e shenjtë.
Pak minuta më vonë, një ndodhi tjetër në spektakël solli një kontradiktë të dukshme. Banorja Erjola Doçi u befasua me një sofër të mbushur me gatime tradicionale dhe alkool, duke përfshirë edhe një gotë raki, të cilën ajo e ngriti një dolli në nder të babait të ndjerë të saj.
Ky veprim, edhe pse ishte në një kontekst të ndryshëm dhe të pavarur nga urimi i mëparshëm, shkaktoi reaksione në mesin e fansave të spektaklit. Në përputhje me traditat dhe normat e një pjese të madhe të shoqërisë, prezenca e alkoolit menjëherë pas urimeve për muajin e Ramazanit, u pa nga disa si një mungesë respekti ose thjesht një moskujdesje për ndjeshmëritë kulturore dhe fetare.