IZRAEL- Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka riafirmuar vendosmërinë e tij për të nisur një ofensivë në Rafah, duke sfiduar kritikat ndërkombëtare. Qyteti është i mbushur me rreth 1.5 milionë palestinezë nga pjesë të tjera të Gazës që kërkojnë strehim. Komentet e tij vijnë pasi kancelari gjerman, në një udhëtim në Lindjen e Mesme, ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj planit. Por Netanyahu tha se asnjë presion ndërkombëtar nuk do ta ndalojë Izraelin të arrijë të gjitha qëllimet e tij të luftës.
“Nëse e ndalojmë luftën tani përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet e saj, kuptimi është se Izraeli e ka humbur luftën dhe ne nuk do ta lejojmë këtë,” tha Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të tij.
Ai tha se Izraeli duhet të jetë në gjendje të vazhdojë luftën e tij, me qëllimin të eliminojë Hamasin, të lirojë të gjithë pengjet tanë dhe të sigurojë që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim kundër Izraelit. Netanyahu tha se ofensiva në qytet në skajin jugor të Rripit të Gazës do të ndodhë dhe do të zgjasë disa javë.
Gjithashu planet e Izraelit janë kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, me OKB-në dhe SHBA-në që paralajmëruan gjithashtu se një sulm në shkallë të plotë në Rafah mund të ishte katastrofik. Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit të OKB-së, të premten i bëri thirrje Izraelit në emër të njerëzimit që të mos nisë një sulm të tillë në qytetin jugor të Gazës.