Vladimir Putin ”fitoi” zgjedhjet në Rusi, duke çimentuar pushtetin e tij edhe për 6 vite të tjera. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës, tregon se Putin, 71 vjeç, do të nisë një mandat të ri gjashtëvjeçar që do ta bëjë atë të tejkalojë Josef Stalin dhe të bëhet lideri më jetëgjatë i Rusisë për më shumë se 200 vjet.
Putin u tha mbështetësve në një fjalim në Moskë se do t’i jepte përparësi zgjidhjes së detyrave që lidhen me atë që ai e quajti “operacionin ushtarak special” të Rusisë në Ukrainë. Putin, duke marrë shkas nga deklaratat e Macron për dërgimin e trupave në Ukrainë, paralajmëroi Perëndimin se konflikti mes tyre dhe Rusisë do të jetë një hap larg fillimit të Luftës së Tretë Botërore.
“Mendoj se çdo gjë është e mundur në botën moderne. Por unë e kam thënë tashmë këtë dhe është e qartë për të gjithë se konflikti midis Rusisë dhe NATO-s do të jetë vetëm një hap larg nga një Luftë e Tretë Botërore në shkallë të gjerë. Unë nuk mendoj se dikush është i interesuar për këtë”, tha presidenti i rizgjedhur.
Kur u pyet për fatin e liderit të opozitës Alexei Navalny, Putin tha se ai thjesht kishte “vdekur” duke e përdorur emrin e Navalny për herë të parë në publik.
“Sa i përket zotit Navalny. Po, ai ka ndërruar jetë. Është gjithmonë një ngjarje e trishtueshme. Kemi pasur raste të tjera që kanë ndërruar jetë njerëz në burgje. A nuk ka ndodhur kjo në Shtetet e Bashkuara? Ka ndodhur dhe në mënyrë të përsëritur”, tha Putin.
Putin tha se kishte rënë dakord disa ditë para vdekjes së Navalny për ta shkëmbyer atë me të burgosur rus në burgjet perëndimore. E veja e Navalny, Yulia, ka akuzuar Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj.