Pusteci, buzë liqenit të Prespës ofron pasuri të shumta kulturore, natyrore dhe arkeologjike për vizitorët vendas të huaj. Kryeministri Edi Rama ka postuar pamje nga fshati Pustec, duke ftuar vizitorët ta vizitojnë atë në stinën e pranverës e jo vetëm. Rama i cilësoi pamjet e fshatit Pustec buzë liqenit të Prespës si të paqta në këtë stinë pranvere, ku gjithçka ka nisur të lulëzojë.
Bashkia Pustec përbëhet nga 9 fshatra. Liqeni i Prespës së Madhe i jep kësaj zone një bukuri të veçantë. Prespa u ofron turistëve mundësi të shumta për ta eksploruar atë. Pusteci mund të vizitohet në rrugë tokësore ose me varkë.
Ishulli i Maligradit, i njohur ndryshe si “ishulli i gjarprinjve”, është një ndër atraksionet më të veçanta ku mund të shkohet për 20 minuta me varkë, duke u nisur nga qendra e bashkisë ose nga fshati Pustec. Duke vazhduar udhëtimin me varkë, në lindje të Maligradit, rreth 30 minuta larg ishullit, ndalesa tjetër është tek kisha eremite në shpellën e Shën Mëhillit.

