Nga Flamur Kuçi
Së fundmi po artikulohet nga kasta sunduese e Partisë Demokratike rreziku i asgjësimit të saj nëse nuk arrihet rënia e Ramës.
Mjafton një lexim i thjeshtë i kuadrit ligjor për të kuptuar që një parti ekziston esencialisht për 3 funksione; [i] Ndërtimi dhe mbrojtja e një kauze politike apo ideologjike, [ii] Përfaqësimi politik i një pjese të popullatës më një bindje të caktuar politike, dhe [iii] Ndikimi përmes procesve politike i proceseve reformatore e vendimarrëse.
Nëse do imagjinonim për një moment që dikush ka marrë përsipër misionin e asgjesimit të PD, ia vlen të reflektohej mbi hapat, veprimet dhe ngjarjet që duhet të sillnin diçka të tillë. Një parti rrezikon të asgjesohet nëse nuk ka kauzë politike, nëse rrezikon të mos përfaqësojë dhe, nëse nuk merr pjesë në proceset politike të vendit.
Pranohet gjërësisht që PD pas vitit 2011 ka njohur një kthesë dekadente në modelin e vet të të bërit politikë, çka rezultoi në një humbje historike në vitin 2013 dhe u pasua nga rënje të tjera të njëpasnjëshme dhe që thyen edhe rekorde historike.
Së pari,duhet kuptuar se çfarë ka ndodhur në këtë periudhë që po guxoj ta quaj ‘dekadente’ e deri sot me kauzën politike të PD. Në pothuaj 3 dekada ekzistencë PD është përkufizuar si parti e djathtë. Edhe pse ndoshta nuk ka reflektuar gjithmonë me rigorozitet këtë doktrinë, ajo ka mbajtur flamurin e një lëvizjeje proteste ndaj regjimit totalitar dhe trashëgimisë së atij regjimi. Përtej doktrinës, në njëfarë mënyre, ky ka qenë edhe identiteti i PD. Periudha e pas 2011 është shoqëruar me retorikën boshe të ‘rrëzimit të bijëve njësoj si të etërve’.
Por realiteti ka treguar që është e pamundur të promovosh kauzën antikomuniste përmes promovimit në majat e PD të personazheve me lidhje të hapura apo okulte qoftë me ish-sistemin apo edhe me trashëgimtaren e saj Partinë Socialiste, promovimit që në 2013 në kandidim të sigurtë të ish-deputetë aktivë të PS dhe njëkohësisht mënjanimit të figurave me trashëgimi të djathtë. Edhe më asgjesuese për kauzën e antikomunizimit është bashkëpunimi thellësisht antipolitik me parti pa kauzë politike si LSI apo pseudo parti parazite që qëllimin e vetëm kanë sigurimin e një karrikeje për kryetarin e tyre. Kështu hapi i parë i asgjesimit të PD rezultoi të jetë asgjesimi i kauzës politike të saj.
Së dyti, para se të analizohet dinamika e përfaqësimit në PD pas 2011 duhet bërë një dallim i qartë mes natyrës së partive të vogla dhe atyre të mëdha në Shqipëri. Partitë e mëdha i afrojnë pjesën më të madhe të njerëzve e tyre rreth bindjes politike. E kundërta ndodh me partitë e vogla. Ato synojnë të afrojnë rreth vetes një grusht të vogël njerëzish (se aq u duhet për mbijetesë) vetëm përmes interesit.
Çfarë ka ndodhur me përfaqësimin politik në Partinë Demokratike? Ajo ka zëvëndësuar përfaqësimin politik me përfaqësimin e interesave familjare. Me qëllim transferimin e ‘pushtetit’ nga përfaqësuesit politikë drejt klubit të interesave të familjes, kastës i duhej ta transformonte PD-në nga një parti politike në një parti interesash personale. Jo rastësisht PD po impostohet çdo ditë e më shumë si parti e vogël dhe nuk shqetësohet nga humbjë prej 100.000 vota në çdo përballje zgjedhore. Madje humbësi në PD vlerësohet.
Mesazhi është i qartë; ‘mjaft që të jesh pjesë e klubit të interesave të familjes, por nuk ka rëndësi që PD zvogëlohet’. Madje në këtë proces degradimi është promovuar një tipologji e ‘politikanit’ pa asnjë bagazh inteleketual që bën si i fortë, si rrugaç dhe si ‘bodyguard’ i interesave të familjes. Mesazhi sërish është ‘nesë kërkon promovim dhe vlerësim brenda partisë duhet t’i ngjash këtij modeli’. Ky proces transformimi në klub interesash të ngushta me qëllim transferimin e pushtetit tek familja praktikisht ka asgjësuar përfaqësimin politik të PD.
Së treti, çfarë ka ndodhur me pjesmarrjen e PD në procese politike. Ka disa vite që PD i është larguar në mënyrë sistematike proceseve politike. Ajo abandonoi në mënyrë plateale Reformën Territoriale, Reformën në Drejtësi dhe, së fundmi, Reformën Zgjedhore çka për një parti është fatale. Prej vitesh PD ka ndërtuar një marrëdhënje apolitike me Parlamentin duke abandonuar diskursin politik në vëndin më vizibël të të bërit politikë. Së fundmi, në aktin më fatal, kasta sunduese mori vendimin që PD të abandonojë procesin zgjedhor dhe me gjasa do vazhdojë ta bëjë edhe në zgjedhjet e ardhshme, praktikisht duke e nxjerrë PD-në nga sistemi politik. Nuk ka zinxhir veprimesh me efikas në asgjesimin e veprimtarisë politike të një partie.
Pra prej 8 vitesh kasta sunduese e PD ka asgjesuar kauzën politike, ka asgjësuar përfaqësimin politik dhe së fundmi ka asgjesuar vemprimtarinë politike të PD. Janë këto veprime që po çojnë në mënyrë të përshpejtuar në asgjesimin e ekzistencës politike të saj. Partia Demokratike nuk do mund të asgjesohet nga kundërshtari politik. Asaj-së nuk i vjen rreziku i asgjesimit as nga kritika, sado e ashpër, e mbështetësve të saj. Rreziku i asgjesimit, megjithëse po artikulohet së fundmi me qëllimin tinzar për t’u veshur me një kauze, në fakt është përgatitur dhe realizuar po aq tinëzisht prej vitesh tashmë, duke i hequr palcën e veprimtarisë politike në funksion të axhendës private të pasurimit përmes vjedhjes.
Ndaj sot, nuk mund t’u shesësh mbështetësve ‘rrezikun e asgjesimit’ si kosto e luftës për të rrëzuar Ramën, por duhet të njohësh përgjegjësinë e asgjesimit të Partisë Demokratike në funksion të axhendës personale.
(TemA)
