Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të martë në Këlcyrë.
Raportohet se një makinë me klandestinë ka tentuar t’i ikë policisë, por ka dalë nga rruga te kthesa e fshatit Grabovë.
Mjeti ka rënë në anë të lumit Vjosë, ndërsa janë regjistruar 8 viktima. Fatkeqësisht kanë humbur jetën shoferi shkodran dhe 7 klandestinë.
Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik, 2 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe grupi hetimor.
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.”, thuhet në njoftimin e policisë.
