Dani Alves tanimë është i lirë, por duhet që çdo javë të paraqitet në gjykatë si dhe të mos largohet për asnjë moment nga Barcelona, ndërsa pasaporta e tij është në duart e autoriteteve.
Ish-futbollisti i cili konsiderohet një legjenda për katalanasit qëndroi për disa kohë në qeli, i akuzuar për përdhunim ndaj një të reje.
Ai ka vetëm pak kohë që është liruar, ndërsa në media u përfol se një revistë e njohur braziliane pagoi 1 milionë euro për lirimin e tij, me futbollistin që kishte premtuar një intervistë ekskluzive.
Duket se kjo gjë nuk është e vërtetë, me Alves që postoi në rrjetet sociale, duke bërë me dije se nuk ka akord me asnjë media për intervistë. “Nuk është e vërtetë që unë kam dhënë ndonjë intervistë për ndonjë media dhe as nuk do ta jap përderisa procesi gjyqësor nuk është zgjidhur”, shkruan 40-vjecari.
Më tej Alves ka prekur dhe çështjen e jetesës në qeli, duke përmendur se do të mbijetonte kudo.
“Për mua nuk është shumë problem që për çdo të premte të paraqitem në Gjykatë, nuk është se kam ndonjë gjë tjetër për të bërë. Jeta në burg? Unë përshtatem në të gjitha ambientet. Kudo që shkel, ia dal të mbijetoj. Kjo vjen sepse në mentalitetin tim, vendi nuk e ndryshon njeriun, por është njeriu ai që ndryshon vendin ku jeton”.
Alves ka vetëm pak ditë që është liruar, ndërsa vendimi i gjykatës është kundërshtuar nga familjarët e viktimës së këtij sulmi seksual.