Opozita ka deklaruar se do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve me 30 qershor. Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, i ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora apeloi partitë politike mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre.
I pyetur nëse do ti njohin zgjedhjet e 30 qershorit nëse zhvillohen pa opozitën, Soreca duhet të bëjmë një dallim ndërmjet ligjshmërisë teknike dhe vlerës politike të zgjedhjeve.
Sipas tij, nga aspekti teknik zgjedhjet do të jenë të ligjshme, por zgjedhjet e mira janë zgjedhje në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra mund të zgjedhin mes partive të ndryshme.
Beti Njuma: Zoti Basha deklaroi që do të bllokojë këto zgjedhje. Një nga opsionet është ti bëjë thirrje zgjedhësve të mos dalin në votime. Gjithashtu ka deklaruar dhe rezistencë lagje më lagje dhe kuti më kuti, pra do të përdoren dhe mënyra të tjera të bllokimit të zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit. Ky është skenari më i errët.
Luigi Soreca: E kam dëgjuar këtë deklaratë dhe vërtet shpresoj që zgjedhjet të kryhen në mënyrën e duhur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Së bashku me OSBE/ ODIHR po diskutojmë mënyrën e monitorimit dhe të vëzhgimit. Thirrja që unë bëj është kundrejt të gjitha partive politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre. Përgjegjësitë që ata kanë kundrejt zgjedhësve për pjesëmarrje nëse merret vendimi për të mos marrë pjesë që të respektohet e drejta e të gjithë zgjedhësve që duan të votojnë. Për këtë arsye ata të lejohen të shprehin të drejtën kushtetuese për të votuar.
Beti Njuma: Zoti Ambasador a do ti njihni zgjedhjet e 30 qershorit nëse zhvillohen pa opozitën, zonja Mogherini la të kuptohet se nuk do të ketë një kontestim ndërkombëtar?
Luigi Soreca: Është e qartë që ne na duhet të bëjmë një dallim ndërmjet ligjshmërisë teknike dhe vlerës politike të zgjedhjeve. Nga aspekti teknik zgjedhjet do të jenë të ligjshme, me pjesëmarrjen e atyre partive që janë regjistruar për zgjedhje. Në të njëjtën kohë, çfarë janë zgjedhjet e mira? Zgjedhjet e mira janë zgjedhje në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra mund të zgjedhin mes partive të ndryshme. Prandaj ne i kemi bërë thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne respektojmë vendimin e partive kryesore të opozitës që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo është e drejta e tyre, është një zgjedhje e vështirë, unë e respektoj. Ne nuk biem dakord për këtë gjë pasi ne besojmë që të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë që të respektohet jo vetëm vota, por edhe zgjedhësit dhe e drejta e tyre. Kjo është zgjedhja e tyre dhe ne shpresojmë që zgjedhjet do të kryhen në një mënyrë të duhur dhe pa ndonjë vepër frikësimi dhe në rast se partitë do të bien dakord përpara zgjedhjeve unë mendoj që ne natyrisht do ta mbështesim këtë gjë në një mënyrë që respekton interesin e të dyja palëve. Pra ne respektojmë si mazhorancën dhe opozitën.