Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kritikoi të premten huazimin e mitrës përmes nënave surrogatë, duke u shprehur se do të mbështeste një projektligj që do ta konsideronte praktikën një “krim universal”.
“Unë vazhdoj të besoj se surrogacia është një praktikë çnjerëzore,” tha Meloni në një konferencë të titulluar “Për një Evropë të re: tranzicioni demografik, mjedisi, e ardhmja”.
“Unë mbështes projektligjin që e bën atë një krim universal. Shpresoj që të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo. Kryetarja e qeverisë italiane tha se praktika të tilla nxisin tregje transnacionale, duke vënë në dukje se nuk është akt dashurie t’i konsiderosh fëmijët si produkte në rafte supermarketi.
Meloni shton se “dëshira legjitime për të pasur një fëmijë, nuk është një e drejtë që mund të sigurohet me çdo mjet të mundshëm”. Vlen për t’u theksuar se surrogacia është e paligjshme në Itali, por duke e kthyer praktikën në një “krim universal” përmes pr.ligjit të paraqitur nga partia “Faratelli d’Italia”, do t’i hapej rrugë ndjekjes penale të italianëve që do të përdornin nëna nga shtete të tjera si Spanjë apo SHBA, ku praktika është e ligjshme.
Disa homoseksualë italianë janë bërë prindër nëpërmjet praktikës së surrogacisë. Projektligji i cili i është paraqitur Senatit për miratim, nëse do të marrë dritën jeshile, përfshin gjoba deri në 1 milion euro si dhe dy vite burg për përfshirjen në surrogaci.