Lulzim Basha ka dalë këtë të shtunë në një konferencë për mediat foli për kërcënime ndaj SPAK. Ai akuzoi grupin e Rithemelimit dhe maxhorancën se sulmojnë sistemin e drejtësisë.
“Njëra palë sulmon me fjalor të papranueshëm sistemin e drejtësisë, dhe SPAK në veçanti, duke insinutar në demonizimin e imazhit dhe nxirjen e punës së kësaj strukture, kur vjen fjala për hetimin e korrupsionin. Pala tjetër, PS dhe kryeministri i vendit, po bëjnë gjithçka për të pamundësuar hetimet dhe çuarjen para drejtësisë të të korruptuarve. Në veçanti kur tani një numër i madh zyrtarësh janë ose në arrest, ose në hetim për korrupsion”, tha Basha.
Nga ana tjetër, Basha bën me dije se javën e ardhshme do të depozitojë në Kuvend një sërë propozimesh në mbështetje të SPAK dhe BKH.
”PD do të depozitojë javën e ardhme një sërë propozimesh ligjore lidhur me mbështetjen efektive të SPAK dhe BKH. Kjo paketë pro SPAK anti korrupsion, nuk është thjesht një kundërvënie ndaj ofensivës të Edi Ramës, Sali Berishës Ilir Metës dhe të tjerë. Në këtë kontekst 4 janë fushat kryesore të ndërhyrjeve ligjore, PD do të kërkojë procedimin me shpejtësi të këtyre propozimeve. I pari ka të bëjë me amendamentet përkatëse në buxhetin e shtetit, për përmbushjen e burimeve njerëzore. Do të kërkojmë fonde të mjaftueshme”.