Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Laert Haxhiun. Ai akuzohet për atë që njihet si masakra e Lushnjës në shtator të vitit 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Rreth dy javë më parë Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor Laert Haxhiun dhe ta dënojë atë me burgim të përjetshëm si autori kryesor në atë që njihet si masakra e Lushnjës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në vitin 2017.
Haxhiu mbahet i arrestuar në Greqi prej rreth një viti. Nga ana tjeter autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e Haxhiut që rezulton i përfshirë edhe në ngjarje të tjerë kriminale. Laert Haxhiu së bashku me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, të dënuar me burgim të përjetshëm, akuzohen për “Masakrën e Lushnjes”, ngjarje ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, objektivi i autorëve ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili ishte kthyer në Shqipëri një ditë para këtij krimi. Por pak çaste para ngjarjes, ai u shkëput nga shokët dhe shkoi për tu qethur, duke i shpëtuar kështu atentatit.
Vendimi i Gjykatës
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Erjon Çela, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi bazuar në nenet 22, 28/4, 55, 78/2, 79/dh, 333/a/1, 334/1/2 të K.Penal, nenet 4/2, 387, 328/1 shkronja “ç”, 390, 393 dhe 485 të K.Pr.Penale me vendimin Nr. 26, datë 24.04.2024 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xhulio Shkurti, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
- Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit Laert Haxhiu për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
- Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Laert Haxhiu me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.