Udhëheqësi autoritar Aleksandër Lukashenko, tha se “dhjetëra armë bërthamore ruse” janë dislokuar në Bjellorusi, një lëvizje që ka rritur shqetësimet në Perëndim se lufta e Moskës kundër Ukrainës mund të zgjerohet.
Duke folur në Asamblenë Popullore të Bjellorusisë në Minsk më 25 prill, Lukashenko, aleat kyç i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se në mbledhje ishte miratuar njëzëri një doktrinë e re ushtarake që e konsideron vendosjen e armëve bërthamore ruse në tokën bjelloruse si strategji për të penguar sulme.
Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike, zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
NATO e ka quajtur këtë lëvizje si të “rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.