I lindur në vitin 1964, Robert Fico i cili u qëllua sot me armë ka qenë kryeministër i Sllovakisë nga viti 2006 në 2010 dhe nga 2012 në 2018 falë sukseseve të partisë së tij progresive Smer. Më 30 shtator 2023 ai fitoi sërish zgjedhjet dhe u bë sërish kryeministër. Me kalimin e viteve lideri socialist, i cili nuk ka origjinë italiane pavarësisht mbiemrit, ndryshoi rrënjësisht.
Fyerje, ksenofobi dhe pro-putinizëm
Metamorfoza e tij populiste në fakt e ka transformuar atë në një pro-rus, ksenofob dhe anti-vax, i cili kafshon kundërshtarët e tij. Shkoi deri aty sa e cilësoi “kurvë” dhe “buçe” ish-presidenten e Republikës, progresisten Zuzana Çaputova. Për Ficon ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një “kukull e Xhorxh Soros”. Ish presidentja e paditi ndërsa bëri të ditur edhe se nuk do të rikandidonte. Kërcënimet me vdekje ndaj të cilave ajo u ekspozuai ishte shumë serioze. Në vend klima është e plumbit, propaganda pro-ruse është e gjithanshme. Dhe Fico zhytet në të.
Dy vjet më parë ish-kryeministri doli në shesh me të djathtën ekstreme për të protestuar kundër vendosjes së ushtarëve amerikanë në Sllovaki. Më pas i cilësoi partitë e qeverisë Heger si “tradhtare të atdheut” për mbështetjen e tyre për Ukrainën. Dhe Fico tashmë ka premtuar se do të injorojë urdhërarrestin ndërkombëtar kundër Putinit.
Në fushatën elektorale që e çoi atë drejt fitores me 23% kundrejt 18% për liberalët, mesazhi i tij elektoral ishte angazhimi për të mos dërguar më armë në Kiev. Kështu Bratislava është bërë aleati më i afërt evropian i Kremlinit pas Hungarisë së Viktor Orbanit.
Kush është Robert Fico
Gjashtëdhjetëvjeçari, dashuron makinat sportive dhe është i apasionuar pas futbollit. Fico e filloi karrierën e tij në partinë komuniste çekosllovake. Pas vitit 1992, në Sllovakinë e pavarur, ai themeloi partinë socialdemokrate Smer. Fraza e tij e preferuar është “durimi sjell gjithmonë trëndafila të kuq”. Shumë pak i ka dhënë vendit të tij.
Siç tha veteranja e madhe e politikës së jashtme amerikane, Madeleine Albright, Bratislava vazhdoi të ishte “një vrimë e zezë” në Evropë e çliruar nga regjimet sovjetike. Të shkatërruar nga korrupsioni, lidhjet mafiozëve, të përshkuar nga një nostalgji e papërmbajtshme pro-ruse.
Në dymbëdhjetë vitet në të cilat ai qeverisi pothuajse gjithmonë mblodhi rreth tij një bandë kriminale, sipas magjistratëve. Në proceset gjyqësore kundër tij drejtësia zbuloi edhe lidhje shqetësuese me ‘Ndrangheta’.
“Fico përfaqëson të shkuarën: gjysma e elektoratit të tij janë pensionistë që jetojnë në zonat rurale. Qëllimi i tij i vetëm është të rrëmbejë pushtetin”. Shkencëtari politik Grigorij Meseznikov, themelues i Institutit për Çështjet Publike (Ivo) në Bratislavë, thotë se në Sllovaki, ashtu si në Hungari dhe Poloni, fushata e urrejtjes së Ficos kundër liberalizmit ishte çelësi i suksesit të tij. Sepse shpesh identifikohet në vendet lindore me kapitalizmin më grabitqar që erdhi pas përfundimit të perandorisë sovjetike. “Në një sondazh, pyetjes: “A e përkrahni demokracinë?”, 80% e sllovakëve u përgjigjën: po. Por në pyetjen “A e përkrahni demokracinë liberale?”, vetëm 20% janë përgjigjur po”, thotë Meseznikov.