Partizani fitoi 1-0 kundër Skënderbeut në gjysmëfinalen e “Final 4” dhe është finalisti i parë për në finalen e 26 majit. Të premten e 17 majit në “Air Albania” të kuqtë iu falën golit të Bintsouka në minutën e 47-të të ndeshjes dhe presin pas dy ditësh gjysmëfinalen Egnatia – Vllaznia për të mësuar rivalin që do diskutojnë finalen e madhe të Superligës, për të mësuar kampionin e sezonit 2023-24.
Pjesa e parë në Tiranë nisi mirë për Partizanin, me Mba që goditi bukur, por u ndal nga Marco Alia. Me kalimin e minutave u shtua edhe tensioni, teksa korçarët duket se u pajtuan me barazimin pa gola, rezultat që u mbyll pjesa e parë.
Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, ishte Bintsouka që shënoi shpejt dhe i dha epërsinë “Demave” si edhe golin që në fund ishte i vlefshëm për fitoren. Skënderbeu u përpoq dhe paçka rasteve nuk mundi të barazonte.
Kujtojmë se edhe me barazimin, më tej në finale kalonte po Partizani për shkak të renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.
Tifozët/ Paçka se u përfol shumë, numri i mbështetësve nuk ishte aq i madh sa pritej. “Air Albania” me 22 mijë vende dukej shumë i madh mbrëmjen e 17 majit.
Final 4
17 maj/ Partizani 1-0 Skënderbeu (Bintsouka 47′)
19 maj/ Egnatia – Vllaznia (Air Albania)
24 maj/ Finale vendi 3/4 në Air Albania
26 maj finalja e madhe. Partizani – Egnatia/Vllaznia