Nga Emirjon Senja
Historia nr.1
Qytetari B.Kodra mori një kredi në Raiffeisen Bank dhe në pamundësi për ta shlyer të gjithën, në vitin 2017 i ishte mbledhur një detyrim i papaguar prej 30 767 lekë. Raiffeisen Bank ia shet kredinë e keqe të z.Kodra, banditëve të MCA.
Pasi marrin të dhënat e z.Kodra, punonjësit e MCA shkojnë një zyrën ngjitur, marrin letrat që i kanë gati, të bardha, por me firmë dhe vulë nga përmbaruesi, shënojnë aty emrin e z.Kodra aty dhe ia nisin Kadastrës duke sekuestruar nëntë prona, tokë arë, me një sipërfaqe totale oprej 10 162 m2.
Kjo është jashtë çdo logjike dhe hapësire ligjore. Prokuroria shprehet se pronat kanë vijuar të jenë të sekuestruara deriu në 19 janar 2023 kur edhe është marrë informacioni i fundit nga Kadastra.
Historia nr.2
Qytetari A.Lika merr një kredi te Pro Credit Bank dhe në 2017 i rezulton një detyrim i papaguar prej 347 958 lekë. Ustallarët e MCA, i bëjnë letrat dhe në mes të gushtit 2017, sekuestrojnë 14 prona, tokë arë, me një sipërfaqe totale prej 24 080 m2 !! Pronat kanë qenë të sekustruara deri në janar 2023 kur edhe është marrë informacioni i fundit nga prokuroria.
Historia e mijëra të tjerëve
Një qytetar merr një kredi në bankë dhe pas disa muajsh apo vitesh, nuk mund ta shlyejë më atë. Banka ia shet portofolin MCA-së dhe MCA fillimisht sekuestron pronat e kredimarrësit pastaj e fton në zyra. Aty qytetarit kredimarrës, që deri më tani nuk kishte shlyer dot kredinë, i bëhet presion dhe i ofrohet mundësia që të marrë një tjetër kredi nga një institucion tjetër mikro kredie në pronësi të aksionerëve të MCA me qëllim shlyerjen e kredisë së parë.
Pronat zhbllokohen për disa kohë deri sa qytetari në pamundësi për të shlyer kredinë e re rezulton sërish si debitor. Tani futet sërish në lojë punonjësi tjetër i MCA në zyrën ngjitur dhe mbush formularin me pronat e hallexhiut dhe bllokon edhe më tepër prona duke i marrë shpirtin. Një banditizëm tipik.
Të ngjashme janë edhe historitë e rreth 17 000 qytetarëve të tjerë që banda e MCA u hipotekoi “shpirtin” prej bankave që në thelb duhet të tregojnë pak përgjegjësi për klientët e tyre.
Banka e Shqipërisë ishte në dijeni të kasaphanës që po ndodhte, por heshti. Edhe Prokuroria e Tiranës ishte në dijeni, por heshti. Po ashtu edhe Ministria e Drejtësisë. Kjo, sepse “ujqërit e MCA” kishin para, njohje dhe mbështetje politike.