Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku nënshkroi këtë të enjte një marrëveshje bashkëpunimi me ambasadorët e Zvicrës dhe Suedisë në vendin tonë, në kuadër të projektit “Bashki të forta II”.
Me nënshkrimin e marrëveshjes mundësohet që një grant prej rreth 12 milionë euro nga qeveritë e Zvicrës dhe Suedisë t’i bashkohet kontributit prej rreth 2 milionë euro nga qeveria e Shqipërisë për të mbështetur reforma të mëtejshme dhe rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore.
“Kjo marrëveshje shënon një vazhdimësi të bashkëpunimit të frytshëm që po kontribuon në forcimin e autonomisë vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Vëmendja jonë mbetet në ndihmën për bashkitë në rritjen e të ardhurave të tyre, vendimmarrjet e bazuara në të dhëna dhe aftësimin e kuadrove vendore”, tha Mazniku.
Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, theksoi se përmes kësaj marrëveshjeje mbështesim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ambasadori suedez, Niklas Ström vuri në dukje se Suedia ju bashkua projektit “Bashki të forta” për të mbështetur demokracinë dhe autonominë vendore, dhe hapjen dhe llogaridhënien e administratës publike.
Projekti “Bashki të forta” mbështet që prej vitit 2019 strategjinë e decentralizimit dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe të këshillave bashkiake.