Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që në pranverën e ardhshme të kryhet votim dhe numërim elektronik në 5 qarqet më të mëdhenj të vendit.
Ilirjan Celibashi zbulon për Euronews Albania se propozimi i dorëzuar përfshin qarqet Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë.
Kjo kërkesë vjen pasi për dy palë zgjedhje radhazi kjo formë e votimit u testua në njësi të vogla, por asnjëherë në të gjithë qarkun.
Socialisti Toni Gogu konfirmon vullnetin e partisë së tij për ta mbështetur këtë ide.
Por opozita është ende e lëkundur, dhe shqetësim themelor ka rikthimin e formulës së vjetër të koalicioneve dhe me këtë kushtëzon konsensusin për çështje të tjera.
Zor se votimi elektronik mund të shtrihet në 5 qarqe, pa dakordësinë e opozitës, e në këtë pikë, Celibashi ju kujton palëve se nuk duhet të çojnë dëm miliona euro që janë shpenzuar deri tani për testimin e votimit dhe numërimit elektronik.