Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj deklaroi sot se, efikasiteti i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është mjaft i rëndësishëm.
Zaçaj foli në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi për nënkomisionin për zbatimin e Vendimeve te Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kreu i Kushtetueses u shpreh se, “dështimi për të zbatuar një vendim përfundimtar të detyrueshëm mund të çojë në situata të papajtueshme me vete parimin e shtetit të së drejtës, të cilin shtetet palë kanë marrë përsipër të respektojnë me nënshkrimin e Konventës”.
Po kështu, shtoi Zaçaj, “dështimi i një shteti në zbatimin e vendimeve vë në diskutim jo vetëm efektivitetin e së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës por edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa, të cilat shtetet anëtarë kanë marrë përsipër t’i mbrojnë”.
“Në jo pak raste Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje në procedurat tona të brendshme, duke përcaktuar detyrimin e shtetit shqiptar për marrjen e masave të nevojshme për korrigjimin e tyre.
Në mënyrë konkrete, përmes vendimeve të saj kjo gjykatë mund të vendosë ndaj shtetit marrjen e masave me karakter të përgjithshëm, ose me karakter individual, ose të të dyja masave së bashku”, theksoi Zaçaj.
“Zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga neni 46 i Konventës është në fokusin e vazhdueshëm të Gjykatës Kushtetuese. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 Gjykata Kushtetuese ka tashmë juridiksion për të shqyrtuar pretendimet për shkeljen e çdo të drejte dhe lirie themelore, ndaj, në këtë drejtim, jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut përbën burimin kryesor mbi të cilin bazohet vendimmarrja jonë”, përfundoi fjalën e saj Zaçaj.