Spanja dhe Anglia do përballen sot në finalen e madhe të Euro 2024, ndeshje kjo që do zhvillohet në orën 21:00 në “Olimpiastadion” të Berlinit.
Finalja mes tyre është ‘mbretërore’, duke qenë se dy vendet kanë Mbretin në krye të shtetit. Përballja mes tyre do jetë e 28-ta në histori, me peshoren që anon nga ana e Anglisë. 13 ndeshje kanë fituar “Tre Luanët”, kundrejt 10-të të Spanjës. Ndërkohë katër ndeshje mes tyre janë mbyllur në barazim. Në pesë ndeshjet e fundit, dy skuadrat kanë nga dy fitore dhe një barazim.
Anglia dhe Spanja kanë një histori të gjatë përballjesh, me shumë ndeshje të rëndësishme në kompeticione ndërkombëtare. E fundit ndeshje e madhe midis këtyre dy ekipeve ishte në UEFA Nations League, ku Anglia fitoi 3-2 në vitin 2018.
Përballë janë trajnerët Luis de la Fuente dhe Gareth Southgate, me spanjollin që e ka finalen e parë, ndërsa anglezi të dytën radhazi, teksa tre vite më parë u mposht në Uembley nga Italia në finalen e Euro 2020 (zhvilluar në vitin 2021 prej masave të pandemisë Covid-19).
Ecuria e Spanjës
Spanja ka pasur një rrugë të fortë deri në finale, duke mposhtur kundërshtarë të fortë si Italia, Shqipëria dhe Kroacia në grupe, ndërsa në fazën e eliminimit direkt, fillimisht mposhti Gjeorgjinë, pastaj rrëzoi gjigantë si Gjermania dhe Franca. ‘La Roja’ ka shënuar 13 gola, ndërsa ka pësuar vetëm tri deri tani në Euro 2024.
Ecuria e Anglisë
Në anën tjetër edhe pse pritej ta kishte rrugën e lehtë, Anglia hasi në shumë vështirësi, pasi që në grup edhe pse doli e para, mori vetëm një fitore me Serbinë, ndërsa barazoi me Danimarkën dhe Slloveninë. Në fazën me eliminim direkt mposhti në shtesë Sllovakinë, pastaj Zvicrën me penallti, ndërsa dje eliminoi Holandën për të kapur finalen. Anglia deri tani ka shënuar shtatë gola, ndërsa ka pësuar katër.
Spanja e ka fituar tre herë trofeun e Europianit, në vitet 1964, 2008 dhe 2012. Nga ana tjetër Anglia nuk ka asnjë trofe në këtë event. UEFA ka përcaktuar arbitrin e finales dhe ai do jetë francezi François Letexier.
Finalja në shifra
Anglia është ekipi më i vlefshme jo vetëm i kësaj përballje, por edhe në Kampionatin Evropian, referuar çmimit që lojtarët kanë në merkato. ‘Tre Luanët’ sipas transfermarket kapin vlerën e 1 miliardë e 520 milionë eurove, ndërsa Spanja kushton 965 milionë euro.
Nëse do i mbledhim së bashku, finalja e madhe e Evropianit zbret në fushë me lojtarë që kapin vlerën e 2 miliardë e 485 milionë eurove.
Për fituesin, duke e llogaritur që nga fillimi i Evropianit, do shkojnë 28.25 milionë euro, ndërsa vetëm për finalen të dy përfaqësueset marrin nga 5 milionë euro secila.
Duhet thënë se për 24 pjesëmarrit, UEFA ka shpërndarë në total 331 milionë euro, ku vetëm për kualifikimin në Gjermani janë shpërblyer me 9.25 milionë euro.
Formacionet e mundshme:
SPANJA (4-2-3-1): Simon; Carvajal, Le Normand, Laporte, Cucurella; Ruiz, Rodri; Yamal, Olmo, Williams; Morata
ANGLIA (3-4-2-1): Pickford; Walker, Stones, Guehi; Saka, Mainoo, Rajs, Trippier; Foden, Bellingham; Kane.
