Ka reaguar Universiteti i Tiranës pas incidentit të ndodhur pasditen e djeshme në Fakultetin Ekonomik. Dje disa studentë u përplasën fillimisht me forcat e sigurisë së fakultetit dhe më pas me policinë. Kjo ndodhi pasi studentët nuk u lejuan të futen për të zhvilluar mbledhjen që kishin planifikuar lidhur me protestën e së hënës.
Ndërkaq, përmes një njoftimi për shtyp UT bën me dije se ambientet e fakulteteve ditën e shtunë dhe të dielë janë të mbyllura, përsa kohë nuk ka aktivitet mësimor ose aktivitete të tjera të programuara në funksion të Institucionit.
Njoftimi nga Universiteti i Tiranës:
Administrata e Universitetit të Tiranës, duke marrë shkas nga situata e krijuar ditën e shtunë pranë ambienteve të Fakultetit Ekonomik, bën me dije që ambientet e fakulteteve ditën e shtunë dhe të dielë janë të mbyllura, përsa kohë nuk ka aktivitet mësimor ose aktivitete të tjera të programuara në funksion të Institucionit. Ditën e shtune dhe të diele ambientet e fakulteteve administrohen nga kompania e sigurisë fizike.