Lulzim Basha gjatë një podcasti ka folur për një nga prioritetet kryesore në programin politik të grupimit që ai drejton, që është zgjidhja e problemit të pronave. Ai tha se siguria e pronës fut Shqipërinë në orbitën e vendeve të zhvilluara. Për të kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar, do të mundësojë që ekonomia shqiptare të ecë përpara.
“Nëse siguria e pronës rivendoset, Shqipëria hyn menjëherë në orbitën e vendeve të zhvilluara. Dhe për këtë arsye në programin tonë prona zë një vend kryesor. Mund ta themi me gojën plotë, që në programin tonë të shpalosur në 1 qershor, reforma më e madhe është reforma e pronës. Është kthimi i pronës fizikisht, ose kompensimi me vlerë të plotë sipas termit aty ku është prona e tjetërsuar”, thekson Basha.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, nënvizoi se ky është një reformë pa të cilën Shqipëria nuk bëhet dot pjesë e Bashkimit Europian. Për të në momentin që reforma e pronës kryhet dhe kërkon vizion, guxim dhe vendosmëri që të kryhet, në këtë moment Shqipëria hyn në modernitet.
“80% e shqiptarëve nuk kanë ende pronat. Këtë e dimë sepse janë shtresë pas shtrese, të shpronësuarit nga komunizmi, pronat e zaptuara pas viteve 90′ dhe një pirg po kaq i madh çështjesh gjyqësore të cilat ose nuk kanë marrë përgjigje, ose kanë marrë përgjigje të paligjshme duke shpronësuar për herë të dytë pronarët legjitim”, tha Basha.
