Drejtues të pushtetit lokal të bashkive Mat e Klos, veteranë të LANÇ-it, familjarë dhe të afërm të familjeve të dëshmorëve të atdheut, drejtues të institucioneve vendore, qytetarë të Matit përkujtuan sot 80 vjetorin e çlirimit të kësaj treve nga pushtuesit e huaj.
Kryetarët e organizatave të veteranëve të LANÇ-it Mat e Klos, Sefer Duka e Kasem Muça si dhe nënkryetari i bashkisë Klos Bashkim Dardha folën para të pranishmëve mbi aktivitetin e çetës partizane të Matit, luftën ndaj pushuesve dhe qëndresën e matjanëve në përballjet me armikun.
“Gjatë muajit gusht 1944, tërë krahina e Matit ishte ndezur nga zjarri i luftës popullore kundër forcave armike italiane. Humbje ishin të mëdha. 900 ushtarë e oficerë të vrarë e të plagosur, si dhe dëme të mëdha materiale. Vetëm në luftën e Qaf Shtamës, që u zhvillua më 5 gusht, u vranë e u plagosën 150 ushtarë e oficerë italianë. Edhe populli kryengritës i Matit pati humbje dhe dëmtime serioze, ku 19 luftëtarë ranë dëshmorë në luftime, u plagosën dhe u gjymtuan rreth 200 banorë, u dogjën mbi 3000 koshere bletësh, si dhe u dogjën plotësisht 19 fshatra me 1028 shtëpi”, theksoi historian Sefer Duka.
Në lapidarian kushtuar kësaj date historike u vendosën kurora dhe buqeta me lule nga nënprefektura Mat, bashkitë Klos e Mat, organizatat e veteranëve të LANÇ-it të dy bashkive, organizata e dëshmorëve, etj.

