Presidenti i SHBA, Joe Biden thotë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk po bën mjaftueshëm për të siguruar një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza nga Hamasi. Mediat shkruajnë se SHBA është afër paraqitjes së një propozimi përfundimtar për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe armëpushim.
Biden po fliste me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pasi forcat izraelite gjatë fundjavës gjetën trupat e gjashtë pengjeve, përfshirë 23-vjeçarin amerikano-izraelit Hersh Goldberg-Polin, nga një tunel në Gaza.
I pyetur nëse Netanyahu po bënte mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje, Biden u përgjigj “jo”. Ai shtoi se SHBA-të nuk do të dorëzoheshin dhe do të “këmbëngulnin sa më shumë” për një marrëveshje.
Zyrtarët amerikanë e kanë kategorizuar këtë propozim të fundit si një marrëveshje “merre ose lëre”, raportoi Washington Post. Presidenti i SHBA dhe Kamala Harris u takuan me negociatorët e SHBA në Sallën e Situatave për të hartuar një propozim.
Netanyahu u duk se u tërhoq kur u pyet për komentet e Biden, duke thënë se presioni duhet të ushtrohet ndaj Hamasit, jo ndaj Izraelit, veçanërisht pas vdekjes së pengjeve.
“Dhe tani pas kësaj na kërkohet të tregojmë seriozitet? Na kërkohet të bëjmë lëshime? Çfarë mesazhi i dërgon Hamasit? Ai thotë, vrisni më shumë pengje,” tha ai në një konferencë shtypi në Jerusalem.
Netanyahu tha se nuk duhet t’i kërkohet Izraelit të bëjë më shumë lëshime, por duhet të jetë Hamasi që duhet ta bëjë këtë.
Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje vijnë pasi Izraeli gjeti trupat e gjashtë pengjeve në Gaza të shtunën. Vdekja e tyre ka shkaktuar protesta të gjera në Izrael.