Nga Hasan PASHA
Mati ka patur dhe ka burra që kanë pilotuar dhe janë çmuar se kanë kryer një detyrë shumë të vështirë. Por Armela Ahmet Murati është e para vajzë shqiptare që bëhet pilote, duke guxuar të fluturojë në qiell shqiptar. Vajza nga fshati Shqefën u fakton vajzave shqiptare se me guxim, përgatitje të lartë, thyhet çdo mentalitet i së kaluarës, realizohet me sukses çdo dëshirë, objektiv, qëllim.
Armela Murati ka rrëfyer për mediat shqiptare shkollimin e saj në universitetet shqiptare dhe sesi një ditë u gdhi ushtarake, madje pilote: “Unë e nisa jetën time për t’u bërë mësuese, duke qenë se kam mbaruar studimet për gjuhën angleze. Me hapjen e kursit për përgatitjen e oficerit të ri, ishte dëshirë që e kisha që e vogël dhe mendova pse të mos jem pjesë. Më pas e lashë profesionin e mësuesisë dhe ja ku jam sot nën uniformë”.
27-vjeçarja vendosi që pasionin për lartësinë, ta kthente në profesion. E quan një zgjedhje jo të rastësishme, teksa i afrohej çdo ditë ëndrrës së saj në Bazën Ajrore të Farkës. “Unë vij nga një familje ushtarakësh, babai im ka qenë një ish-oficer dhe duke ndjekur shembullin e tij, disiplinën që ai ka, dhe pasionin që ai ka për punën, ma ka transmetuar edhe mua. Dhe shpresoj ta bëj krenar se ai është mbështetja ime më e madhe”-janë fjalët e para të Armelës pasi ajo realizoi fluturimet e para duke mahnitur aviatorë të njohur shqiptarë. Ajo u përgatit pa kurrëfarë droje krahas djemëve në kursin e pilotimit, duke lënë në arkivat e të shkuarës çdo paragjykim apo pengesë gjinore. Kjo tregon se vajzat matjane janë të forta, të zonja, të paparashikueshme.
“Vajzat kanë treguar që dinë të jenë të barabarta me meshkujt në shumë profesione të tjera të jetës. Është një profesion që nuk ka të bëjë vajzë apo djalë nëse do ta bësh nëse ke vullnet dhe dëshirë ta bësh do të arrish çdo gjë”, u tha mediave pilotja e parë matjane. Emocionet për arritjet e Armelës nuk i fshehin as zyrtarët e specialistët e aviacionit shqiptar. Në 100 vjetorin e themelimit të Forcës Ajrore Shqiptare konsiderohet sukses i madh pilotimi nga një vajzë e talentuar matjane. Armela Murati bashkë me guximin për të sfiduar lartësitë, ka pranuar mbi vete misionin për t’i shërbyet vendit në kohë të mirë e të vështirë. Një rrugëtim që thotë se tashmë nuk mund të kthehet pas.
Kjo arritje e padëgjuar më parë është vlerësuar nga autoritetet më të larta të vendit. Ka shkruar disa herë kryeministri Rama, ish ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministra të tjerë. Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se: “Armela Murati do të futet në histori si pilotja e parë grua në Shqipëri”, një vlerësim ky i madh për vajzën që sfidoi këdo me profesionin e saj të ri. Ish ministrja e Shtetit, aktualisht kryetare e Kuvendit të Shqipërisë shkruante: “Ti ke forcën që nderon kombin! Armela Murati, vajza 25 vjeçare me origjinë nga Burreli e ktheu pasionin për lartësitë në një profesion të lartë në shërbim të atdheut, duke u bërë pilotja e parë grua në 109 vite histori të Forcave të Armatosura”.
Pilotja matjane bën krenar jo vetëm prindërit dhe të afërmit, por çdo matjanë e vlerëson dhe i është mirënjohës kësaj vajze me cilësi të veçanta. Ndaj është e udhës që autoritetet e Matit dhe më tej ka nderojnë piloten e re me tituj apo medalje pasi ajo tashmë ka hyrë në historinë e aviacionit shqiptar dhe do të mbahet mend gjatë nga drejuesit e aviacionit, nga kolegët e saj, nga çdo shqiptar.