Dalin detaje nga operacioni i koduar ‘AKUILA 2019’, i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Policinë Franceze dhe organet e drejtësisë franceze.
Mësohet se shkak i shkatërrimit të bandës shqiptare që vodhi 70 banesa në Francë, u bë një parfum i personalizuar.
Gjatë vjedhjes në një vilë ‘skifterat’ shqiptarë kishin vjedhur edhe një parfum ‘One Million Paco Rabane’ me shkrim të personalizuar, i cili u gjet në shtëpinë e Alfons Perkolës në Laç.
‘Kanë marrë lekët e vajzës tonë, të cilat gjendeshin në një kuti të vogël metalike të dhomës së saj, në bibliotekë një shumë prej 250 eurosh, si dhe një parfum ‘One Million Paco Rabane’, ku ishte shkruar emri i bashkëshortit tim ‘Ferdinand’. Ai gjendej në komodinën e dhomës tonë të gjumit. Shishja e parfumit ishte në dy ngjyra, gold dhe e zezë’, tregoi francezja Lambotte Dominique në polici.
Pas gjetjes së një sërë sendesh të vjedhura autoritetet franceze vunë në pranga 5 anëtarë të familjes Kajtazi, ndërsa në Shqipëri u arrestua Alfons Perkola, Besnik Fufi dhe Aleks Marku.
Raportohet se familja Kajtazi strehonte tre ‘skifterët’, të cilët pasi grabisnin një banesë ktheheshin në Laç dhe depozitonin sendet e vjedhura.
Gjatë kontrolleve në shtëpitë e shqiptarëve u gjetën dhe u sekuestruan bizhuteri, një gjerdan me gurë të çmuar dhe sende të tjera me vlerë 300 000 euro.