24 deputetë të PD-së u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës në Kuvend për djegien e karrigeve seancën e fundit dhe kaosin e krijuar. Në “Repolitix” u debatua mbrëmjen e sotme lidhur me vijimin e aksionit të opozitës ku pritet të mbahet edhe protesta e 7 tetorit tek Kryeministria.
Deputeti Lefter Gështenja, i përjashtuar me 40 ditë, bëri ironi për Denis Mingën duke thënë se shpreson të mos ndryshohet rregullorja për dënimin e atyre që nxjerrin karrigiet jashtë sallës.
“E prisnim, dje u mor vesh vendimmarrja e ushtarëve të mazhorancës e komisionit të etikës. Edhe pse e pashpjegueshme dhe e pabazuar në rregullore. Shkaqet që çojnë në dy muaj janë të përcaktuar në rregullore. Besoj që kjo mazhorancë të mos ndryshoj rregulloren që të mos dënohet nxjerrja jashtë e karrigeve. Unë jam përfaqësues i qytetarëve, çfarë kam në dorë të bëj.”
Deputeti socialist Lavdrim Krashi tregon se pa djegies së karrigeve disa turistë hollandezë aty pranë po pyesnin mos kishte lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Nuk ka shqiptarë që është i kënaqur me skena të tilla. Kur po dilnim takuam një grup turistësh hollandezësh dhe më pyetën a ka lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme. I thashë konflikte të brendshme. Dhuna fillon kur mbaron argumenti. Asgjë nuk e justifikon dhunën. Si shërbëtor publik duhet të sillemi me paratë e popullit siç sillemi me paratë tona. Pse duhet që pasurisë së përbashkët ti vihet flaka.”
Ndërsa më pas Krashi debatoi me avokatin Leonard Karaj dhe deputetin Gështenja.
Krashi: Kur të vijë puna për korrupsion nuk ka ngjyrë politike.
Karaj: Mos barazo 24 karrige me 24 miliard që janë vjedhur. Që nuk është pamje e bukur për tu parë, por të thuash u ka prishur gjumin ca hollandezëve që kaluan aty. Po kur digjet Amsterdami apo Parisi bëjnë kështu ata?
Krashi: Ne po flasim për parlamentin.
Gështenja: Të vish këtu të qash për karriget. Është keqardhje. Të thuash e panë hollandezët. Zoti Krashi duhet të thotë çfarë mendimi ka për rrëzimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.