Duke nisur nga dita e Hënë pritet që mbi vendin tonë të ndikojnë kushte relativisht të paqëndrueshme atmosferike. Moti do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët por hera herës edhe në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Këto të fundit do të jenë më tepër të pranishme në zonën e qendrës dhe veriperëndim.
Dita e Martë dhe ajo e Mërkurë do të kenë mot të qëndrueshëm dhe të kthjellët duke përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare dhe reshjet e shiut e izoluara dhe lokale.
Një paqëndrueshmëri e lehtë rikthehet përsëri ditët e Enjte dhe të Premte. Dita e Enjte do të karakterizohet nga moti me alternime kthjellimesh dhe vranësirash ndërsa dita e Premte do të ketë mot me diell por edhe zhvillimet e vranësirave deri të dendura në mesditë. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i Jugut e lehtë deri mesatare me shpejtësi 5-10m/s ndërsa temperaturat do të luhaten në vlerat e mëngjesit nga 8-14°C dhe ato maksimale nga 20-27°C.