Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është i bindur se Kryeministri Rama, pavarësisht qëndrimeve të prera, do të tërhiqet për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore.
Në një intervistë për “Panorama”, Duka flet për një shtyrje të datës së zgjedhjeve dhe kujton se si me kërkesë të Edi Ramës në 2007 zgjedhjet vendore u shtynë. Nëse në 30 qershor qeveria do t’i shkojë deri në fund idesë për zhvillimin e zgjedhjeve me një kandidat, Duke deklaron se ajo do të hyjë në historinë e Shqipërisë si një datë turpi.
Z.Duka, dhe pak kohë na ndan nga zgjedhjet e 30 qershorit, kemi një përshkallëzim të aksionit opozitar dhe një ashpërsim të gjuhës së maxhorancës ndaj atyre që do të cenojnë votimet. Sipas jush, do të ketë zgjedhje në 30 qershor?
Sigurisht, jemi në një moment kritik dhe klima politike në vend është tej mase e polarizuar. Unë nuk kam qenë ndonjëherë ithtar i qëndrimeve ekstreme, por sot opozita është duke vepruar në dobi të interesit publik, pasi nuk po kërkon gjë tjetër veçse zgjedhje të lira. Nga ky këndvështrim, duke pasur parasysh se në zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të gjejë përfaqësim më shumë se gjysma e elektoratit dhe në shumë bashki nuk do të ketë as kandidatura të tjera përveç atyre të PS-së, mendoj se ato nuk do të zhvillohen dhe do të ketë hapa prapa nga ana e maxhorancës. Është thjesht çështje kohe. Për sa i përket kërcënimit me burg për ata që mund të pengojnë votimet, unë gjykoj se kemi të bëjmë me një paradoks që indinjon edhe më shumë ata që po protestojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për sa kohë nuk kemi asnjë ndëshkim të atyre që janë kapur duke vjedhur votën në vitin 2017, nuk mund të kërcënosh qytetarët që po veprojnë për të mbrojtur pluralizmin.
Ju thoni se nuk do të ketë zgjedhje, por maxhoranca duket e vendosur në vijimin e procesit edhe pa opozitën, madje deklaron se nuk ka më hapësira kushtetuese për t’i spostuar ato. Si do të arrini ta bindni maxhorancën për drejtësinë e kërkesës suaj?
E kam dëgjuar këtë justifikim nga ana e Kryeministrit, mirëpo të gjithë ne mbajmë mend se zgjedhjet vendore të vitit 2007 u shtynë me afro një muaj, edhe pse presidenti kishte dekretuar datën. Pra, shtyrja e datës nuk përbën asnjë problem nëse do të ketë një vullnet politik për të krijuar kushtet e nevojshme që zgjedhjet të jenë realisht të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër, ne kemi parashtruar kërkesat tona, propozimet për qeveri tranzitore dhe rrugëtimin e nevojshëm për të dalë nga kjo krizë politike. I takon kreut të Partisë Socialiste të reflektojë dhe të mos lejojë që vendi të kthehet 30 vite mbrapa, në kohën kur në Shqipëri kishte votime, por jo zgjedhje. Të bindur për drejtësinë e kauzës sonë, ne do të vijojmë me protesta dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, te të cilët duhet të japim mesazhin se zgjedhje të tilla nuk do të kenë vetëm pasoja të frikshme për demokracinë tonë, por nëse mazhoranca nuk heq dorë, 30 qershori do të kujtohet si një datë e mbuluar nga turpi.
Z. Duka, një tjetër argument i maxhorancës është se zgjedhjet e 2017-s u pranuan nga opozita dhe u kontestuan dy vite më vonë, duke theksuar se ju kishit të gjitha garancitë e nevojshme, sepse ishit pjesë e maxhorancës duke u përfaqësuar me disa ministri. Çfarë do ta pengonte opozitën të hidhte poshtë edhe zgjedhjet e radhës?
2017 është një pësim që na është bërë mësim. Qeveria teknike nuk shërbeu në përmirësimin e cilësisë së zgjedhjeve, pasi për sa kohë kishte një vullnet politik për t’i tjetërsuar ato, asnjë ministër i përkohshëm nuk mund të ndalte kasaphanën që ndodhi në 25 qershor të atij viti. Për sa i përket denoncimit të zgjedhjeve, personalisht, si kandidat në zonën e nxehtë të Durrësit, jam shprehur për vjedhjen dhe shantazhet qysh në orët e para të mbarimit të procesit. Megjithatë, në gjykimin tim, nuk ka rëndësi kur denoncohet një shkelje, një ditë apo një vit më pas, pasi dalja e provave të reja, sikurse janë përgjimet e Prokurorisë, fakton që ka ndodhur një krim zgjedhor. Për të huazuar nga terminologjia e futbollit, arritëm ta shohim nëpërmjet VAR-it që kishte një faull, i cili nuk u pa nga komisionerët dhe vëzhguesit. Në të gjithë botën demokratike, përgjimet do të kishin mjaftuar që personat e përfshirë të ndëshkoheshin të paktën politikisht, por këtu nuk ndodh asgjë, madje as Prokuroria nuk vepron në zbardhjen e ngjarjes. Kjo situatë irriton edhe më shumë opozitën dhe mbështetësit tanë, duke na bërë mosbesues ndaj zhvillimit të zgjedhjeve pa një qeveri tranzitore.
Pse mendoni se qeveria tranzitore do të prodhojë rezultate të ndryshme nga ato të qeverisë teknike të vitit 2017?
Sikurse thashë më sipër, pësimet e vitit 2017 na janë bërë mësime. Ndryshe nga sa ndodhi dy vite më parë, opozita nuk pranon më që zgjedhjet të zhvillohen me Ramën si Kryeministër, pasi është e domosdoshme që qeveria që do të menaxhojë procesin të jetë neutrale dhe të mbajë përgjegjësi për rezultatin final të zgjedhjeve. Rënia e 25 qershorit 2017 si pasojë e përgjimeve e ka dëshmuar këtë dhe është prova më e madhe për drejtësinë e kërkesës së opozitës. Është e domosdoshme që të ketë një reflektim të thellë mbi këtë pikë, sidomos nga brenda radhëve të Partisë Socialiste, pasi mospranimi i situatës rrezikon ta çojë vendin në përplasje. Ndoshta një hap mbrapa mund të ketë pasoja për karrierën e një politikani, por nëse do të shërbente për paqtimin e jetës politike të një vendi, ky do të ishte një shembull për të ardhmen. Pavarësisht bindjeve të ndryshme që mund të kemi, përplasjeve që ka prodhuar politika në këto tri dekada, kthesat e befta në zhvillimin demokratik të vendit, është momenti që karrigia e një individi të mos marrë vlerë më të lartë se interesi publik. Nëse do të ketë reflektim dhe do t’i hapet rrugë një qeverie që të shërojë plagët e shumta të shoqërisë sonë, që sigurisht nisin te mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeveria tranzitore nuk do t’i japë fund vetëm problemit të zgjedhjeve, por edhe tranzicionit të stërzgjatur.
