Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me burg të përjetshëm për Laert Haxhinë.
Haxhiu është shpallur fajtor për atë që njihet si masakra e Lushnjes, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Avokati i Laert Haxhisë tha se vendimi nuk është i bazuar në prova e fakte, prandaj ndaj vendimit të sotshëm të formës së prerë avokati do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.
Laert Haxhiu u ekstradua më 3 korrik nga Greqia drejt vendit tonë nën masa të rrepta sigurie. Haxhiu u arrestua në Greqi më 23 maj të vitit të kaluar.
Laert Haxhiu është i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Historia e përfshirjes së Laert Haxhiut në krime nisi pasi banda e Aldo Bares i dogji banesën dhe i vrau nipin familjes Haxhiu, kohë kur Laerti ishte vetëm 5-vjeç.
Pas vrasjes së Bledarit nisi dhe saga e hakmarrjes mes dy familjeve.
