Uk Lushi, drejtori i Kongresit Pan Shqiptar në SHBA ishte këtë të premte i ftuar në “Balkan Talks” në Euronews Albania ku foli për qëndrimet dhe ndikimin që presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump pritet të mbajë për Ballkanin Perëndimor e sidomos për Kosovën.
Ai tha se Kosova tashmë duhet të ndryshojë qasje lidhur me qëndrimet e mbajtura më herët lidhur me Donald Trump. Ndërsa shtoi se tashmë nuk duhet të kujtohen më gabimet e të kaluarës, pasi interesi i SHBA është që Kosova të jetë një shtet i suksesshëm.
“Kosova duhet të veprojë si shtet, përfaqësuesit e saj duhet të ripozicionohen duke marrë parasysh ndryshimin politik që ka ndodhur në Amerikë. Zgjedhjet do i kemi më 9 shkurt, nuk e dimë se cila do jetë qeveria e re. Edhe nëse do zgjidhet zoti Kurti me këtë qasje katastrofale, as ai as Kosova nuk shkon gjëkundi”, tha Lushi.