Në Shqipëri festohet sot 8 dhjetori, “Dita Kombëtare e Rinisë” në nder të lëvizjes studentore të 8 dhjetorit 1990 që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit pas një diktature të gjatë komuniste.
Ambasada Amerikane në Tiranë, me anë të një postimi shkruan se 34 vjet më parë studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Evropës.
Më tej, thekson se rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah ndërsa ecin përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, shkruan në Facebook ambasada e SHBA.
