Forcat ruse vazhdojnë t’i afrohen qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, Pokrovsk, derisa përpjekjet diplomatike janë rritur për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada.
Sipas platformës online të hartave të luftës, Deep State, trupat ruse janë afruar 3 kilometra pranë pjesës lindore të Pokrovskut, i cili është kryqëzim kyç për Ukrainën, si dhe furnizuesi i vetëm i brendshëm i vendit për koks.
“Duhet të ndërmerren vendime jokonvencionale për ta zgjatur qëndresën e mbrojtjes sonë dhe për ta shkatërruar më shumë pushtuesin”, tha gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i Ukrainës.
“Luftë jashtëzakonisht e ashpër në fushëbeteja. Rusët po i përdorin të gjitha forcat në përpjekje për ta thyer mbrojtjen tonë”, shkroi ai në Facebook.
Kjo zonë prej muajsh është dëshmitare e disa prej beteja më të ashpra nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës prej Rusisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi vijat e frontit në rajonin e Zaporizhjas të enjten, ka kërkuar përforcime, pasi duket se pozicionet ukrainase po hasin në vështirësi për ta përballuar përparësinë e Rusisë në ushtarë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Filimonov, komandanti i batalionit të 108-të “Da Vinci Wolves”, paralajmëroi se arsyeja kryesore e humbjeve derisa Rusia po çan përpara drejt Pokrovskut, janë “detyrat joreale” për trupat në këtë rajon, duke marrë parasysh numrin e ushtarëve të tyre.
Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim./REL