Dom Mark Pashkja në një intervistë në Ora News u shpreh se Krishtlindja nuk është vetëm festa e të krishterëve por është festa e të gjithëve.
Dom Mark Pashkja: Shërbimi dhe kontakti me njerëzit të jep një gëzim të jashtëzakonshëm sepse shkon në atë burimin esencial të festës por edhe të përjetimit sepse në fund të fundit festa merr atë kuptimin kur njerëzit në përditshmërinë e tyre përgatiten për një event.
Dhe në fakt Krishtlindja është një event dhe kontakti me përjetimin e njerëzve të bën të kuptosh se çfarë është Krishtlindja në esencën e vet.
Në fakt Krishtlindja është shumë e veçantë edhe nëse e shikojmë në filozofinë e saj, pa dallim religjioni dhe duke mos hyrë fare në shpjegimin teologjik të saj.
Çfarë është Krishtlindja? Do të thotë që është Zoti që bëhet njeri.
Zoti bie në dobësinë e njeriut, bie në atë që është njerëzorja dhe bën që njeriu të mos jetë më ajo krijesa që ekzistonte një distancë e jashtëzakonshme mes hyjnive dhe njeriut.
Zoti bëhet njeri që njeriu të bëhet si Zoti.
Dinjiteti i njeriut pëson një rritje të jashtëzakonshme.
Krishtlindja nuk është vetëm festa e të krishterëve por është festa e të gjithëve.