Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka do të vijojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike edhe për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Ai sqaroi se kandidatët agraro-ambientalistë do strehohen në listën e koalicionit kryesor opozitar.
”Do kemi në çdo qark nga një në listën e hapur dhe natyrisht një ose dy në listën e mbyllur, akoma nuk kanë mbaruar negociatat por jam i sigurt që do dakordësohemi”, tha kreu i PAA, Agron Duka. Vendimi i dytë përfundimtar është se Duka nuk do të jetë deputet në leëgjislaturën e re. Por ai premton angazhim të plotë në të gjitha qarqet, ku kufiri maksimal është 40 mijë vota, edhe pse emri i tij nuk do jetë në asnjë listë.
”Unë nuk kandidoj më për Parlament, shumë njerëz më thonë që ky vendim mund të ndikojë negativisht për PAA, unë nuk mendoj kështu. Se në fund të fundit, është diskutuar shumë që pse nuk u hapet rrugët të rinjve, unë këtë po mundohem të bëj. Nëse kjo tezë bie poshtë, do të thotë që ky eksperiment dështon dhe u themi kryetarëve të partive rrini aty deri sa të vdisni”, theksoi Duka.