Një ish-kryebashkiak, dy femra dhe tre të huaj janë mes 24 personave të shumëkërkuar për Qarkun e Durrësit. Në listën e më të rrezikshmëve për këtë qark, pjesa më e madhe janë të dënuar për vrasje, por ka dhe për shfrytëzim prostitucioni, mashtrim, vjedhje me pasojë vdekjen, trafikim fëmijësh, trafikim femrash, përdhunim dhe drogë.
Mes 24 personave të konsideruar si mjaft të rrezikshëm janë edhe tre shtetas të huaj: një italian, një grek dhe një shtetas amerikan. Mes më të kërkuarve është edhe Kujtim Kllogjeri, pronar i kompanisë së ndërtimit “G&Xh” sh.p.k dhe ish-kryebashkiak i Gramshit në vitet ’90. Ai është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Durrësit për “Mashtrim më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda”.
Në kurthin e tij kanë rënë të paktën 39 persona përmes shitjes së shumëfishtë të apartamenteve. Kllogjeri ka humbur çdo gjurmë dhe nuk i dihet vendndodhja prej shkurtit të vitit 2017. Dyshohet se Kllogjeri ka marrë 2.1 milionë euro nga shitja e apartamenteve për herë të dytë apo të tretë.
Një prej të shumëkërkuarve të tjerë është edhe Skënder Baku. Ky i fundit ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Lulëzim Shera në rrugën kombëtare Fushë-Krujë – Laç. Në vitin 1992, viktima Shera ka pasur një konflikt në Burgun 313 me të vëllain e Skënderit, Arjanin, të cilin e ka vrarë me sende të forta. Pasi doli nga burgu në vitin 2010, Lulëzim Shera u vra me kallashnikov nga Skënderi dhe një person tjetër, ende i paidentifikuar. Në listën me 24 persona janë edhe dy femra, të cilat akuzohen për trafik femrash për t’i shfrytëzuar për prostitucion.
Pjesa e madhe e personave të shumëkërkuar që janë pa foto ka dyshime se mund të jenë përshtatur sërish në shoqëri. Ndërsa të tjerë dyshohet se kanë ndryshuar identitet dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës në anonimat dhe nuk komunikojnë me familjet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për disa prej tyre janë ende në fuqi shpërblimet e vëna nga ana e Policisë për këdo që do të japë informacion, i cili do të çojë në arrestimin e tyre. Policia e Durrësit njofton se informacioni mund të jepet në numrat falas 129 ose 126.
Amerikani
Një 70-vjeçar amerikan akuzohet për përdhunimin e tre fëmijëve në Durrës. Bëhet fjalë për Carl Stephan Kaminski, i prezantuar në Shqipëri me emrin e rremë David Gerard Golderstein. Ai akuzohet se ka abuzuar me tre fëmijë në periudhën 2003-2006.
Amerikani është gjykuar në mungesë dhe është dënuar me 25 vite burg, ndërkohë aktualisht është duke kryer një dënim me burg në SHBA po për abuzim me fëmijët. Historia e abuzimeve për të cilat dyshohet amerikani me të miturit shqiptarë zë fill në vitin 2003, kur ai ka mbërritur si turist në vendin tonë. Gjatë qëndrimit të tij disavjeçar në Shqipëri, Kaminski kryesisht ka qëndruar në një banesë të marrë me qira në qytetin e Durrësit, ku dyshohet të jenë bërë edhe abuzimet me tre djemtë e mitur.
Hetimet kanë gjetur se, veç abuzimit fizik, Kaminski edhe i ka fotografuar të miturit të zhveshur, duke u premtuar se do t’i fshinte fotot. Rezulton se ai është larguar nga Shqipëria në kohën që u publikua lajmi i skandalit seksual të pedofilisë në qendrën “Fëmijët e tij” në kryeqytet ndaj britanikëve David Broun, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Me herët ai është arrestuar në Gjermani, pasi udhëtonte me një pasaportë belge të falsifikuar.
Në vijim Kaminski është ekstraduar në SHBA, pasi kërkohej në këtë vend për akuza që kishin të bënin me abuzimin e të miturve. Gjatë hetimeve ndaj tij, ekspertët kanë zbuluar në kompjuterin e tij materiale pornografike me të miturit shqiptarë. Pas evidentimit të këtij fakti, autoritetet amerikane kanë vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, që çoi në zbulimin e historisë së abuzimit me tre të miturit.
