Në Shkodër po shtohet një korsi e re biçikletash, që shtrihet nga lagjia Parrucë në drejtim të lagjes së Rusit.
Kryetari Benet Beci ishte i pranishëm gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e kësaj korsie, ku u njoh me ecurinë e punimeve dhe projektin që përfshin rritjen e sigurisë së përdorimit të rrugës nga banorët e qytetit.
Kryetari i Bashkisë Shkodër u shpreh se kjo ndërhyrje vjen si proces i krijimit të unazës së korsive të biçikletave që e kthen Shkodrën në një qytet unik për këtë shërbim ndaj banorëve, ndërsa u shpreh se puna për korsitë është e integruar edhe me planin për krijimin e parkimeve të mëdha për automjetet.
Korsia e re e biçikletave nga Parruca në lagjen Rus ka një gjatësi prej 1,3 km dhe përshkon qendrën e qytetit deri në fund të lagjes Rus. Kjo ndërhyrje është bazuar në planin e mobilitetit të hartuar nga ekspertë të huaj në bashkëpunim me specialistë të Bashkisë Shkodër që ka në themel rritjen e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe shmangien e trafikut.