Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono. Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA. Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Amerikën, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.
Presidentja theksoi rëndësinë për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë. Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.
Kryetarja e shtetit konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor. Po ashtu dhe se është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.
Presidentja konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme. Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.
