Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali fotovoltaik në fshatin Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë të Fierit, i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 21 MW. Ky projekt, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk do të përfitojë nga masat mbështetëse, do të realizohet nga shoqëria “PROSOL”, sh.p.k. dhe pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të këtij impianti do të jetë 49 vjet.
Në përputhje me vendimin, shoqëria do t’i japë ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të energjisë së prodhuar çdo vit, ose do ta konvertojë këtë sasi në vlerë monetare, që do të derdhet në buxhetin e shtetit. Vendimi parashikon gjithashtu që shoqëria “PROSOL” të shesë një pjesë të prodhimit të energjisë furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme mbi punimet dhe operimin e projektit për të siguruar që çdo fazë e realizimit të jetë në përputhje me planin dhe kërkesat e projektit. Gjithashtu, shoqëria do të ketë detyrimin të respektojë të gjitha kushtet ligjore dhe mjedisore, si dhe të sigurojë një sigurim kontrate që është të paktën 5% e vlerës së investimit para nënshkrimit të kontratës.
