Kanë vijuar edhe ditën e djeshme debatet publike për zgjedhjen e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në “Facebook” kërkoi shkarkimin e Gjinushit nga posti që sapo ka marrë. Sipas saj, institucioni i Akademisë së Shkencave është mbushur me spiunë të ish-regjimit komunist. “Kryetari uzurpues i Akademisë së Shkencave i nisi minutat e para të karrierës së tij me dhunimin verbal seksist të një gazetareje të re.
Por krahas kryetares së Grupit Parlamentar “Demokrat”, edhe pedagogia Dhurata Shehri, publikoi dje CV e Gjinushit, ku theksoi se ka që në vitin 1991 që nuk ka bërë asnjë libër shkencor. Kjo krijon edhe paradoksin në vetvete ku kryetari i Akademisë së Shkencave ka 28 vite pa publikuar asnjë botim shkencor.
“Gabova rëndë ku mendova se kishte mbetur ende ndonjë akademik
në Shqipëri!
Duke nisur nga “kryetari”, CV-në e të cilit ju ftoj ta lexoni për te
gjetur kontributin shkencor te 30 viteve të fundit!
Skënder GJINUSHI (1949–). Matematikan, profesor, akademik. Lindi në Vlorë.
Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe përfundoi studimet e larta në Universitetin e
Tiranës në vitin 1972. Gjatë viteve 1973–1977 kreu studimet pasuniversitare në Francë
(Universiteti Pierre e Marie Curie, Paris VI) dhe fitoi titullin “Doktor” i ciklit të tretë
në analizën funksionale. U emërua pedagog në katedrën e matematikës së specialitetit
në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1972). Skënder
Gjinushi ka botuar tekstet “Bazat e topologjisë së përgjithshme” (1986), “Analiza
funksionale” (1988), “Probleme të analizës funksionale (1992) dhe një varg artikujsh
shkencorë në fushën e analizës funksionale. Në vitet 1987–1991 ka qenë deputet i
Kuvendit Popullor dhe ministër i Arsimit. U aktivizua në proceset politike pluraliste
dhe më 1991 u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, funksion që
vazhdon ta mbajë. Nga viti 1992 deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar i Kuvendit
(1997–2001); zëvendëskryeministër e ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale (2001– 2002)”, shkruan Dhurata Shehri.