Kryediplomatët e shtatë demokracive kryesore perëndimore i kërkuan Rusisë të premten të pranojë një armëpushim të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për luftën Rusi-Ukrainë.
“I bëmë thirrje Rusisë që të reagojë dhe të bjerë dakord për një armëpushim në kushte të barabarta dhe duke e zbatuar atë plotësisht. Diskutuam për imponimin e kostove të mëtejshme ndaj Rusisë në rast se një armëpushim i tillë nuk arrihet, përfshirë sanksione të mëtejshme, kufizime për çmimet e naftës, si dhe mbështetje shtesë për Ukrainën dhe masa të tjera”, thanë diplomatët në një deklaratë të përbashkët në fund të takimit në Kanada.
Shtëpia e Bardhë tha se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, foli me presidentin rus Vladimir Putin të enjten.
“Të gjithë ministrat e jashtëm të G7 janë dakord me propozimin e SHBA-së për një armëpushim që të mbështetet nga ukrainasit” dhe fokusi tani është tek përgjigjia e Rusisë, tha të premten ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly.
Ajo shtoi se “topi tani është në fushën e Rusisë kur bëhet fjalë për Ukrainën”. Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy i bëri jehonë kësaj ideje, duke deklaruar, “Ka një emërues të përbashkët se tani është koha për një armëpushim pa kushte. Ukraina e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Tani i takon Rusisë ta pranojë atë.”
Lammy vuri në dukje gjithashtu se po formohet një “koalicion” për t’i siguruar Ukrainës “arkitekturën e sigurisë” të nevojshme dhe mekanizmat e monitorimit për të mbështetur armëpushimin.
Deklarata e përbashkët e G7 vjen pasi Kremlini tha se mbetet shumë për të bërë për një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, duke sinjalizuar hezitim për të miratuar plotësisht propozimin amerikan.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini ende pret përgjigje pasi ngriti disa pyetje në lidhje me zbatimin e armëpushimit.