Sot është ditë zie kombëtare në Shqipëri dhe në të gjitha institucionet flamujt ulen në gjysmështizë. Në respekt të Papa Françeskut, Partia Socialiste ka ndërprerë takimet elektorale të planifikuara gjatë ditës së sotme, në kuadër të fushatës zgjedhore të 11 majit. Kryeministri Edi Rama kishte planifikuar që gjatë së shtunës të ishte në Qarkun e Fierit, por nuk do të udhëtojë.
Ndërsa kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se do të vijojë takimet e tij elektorale, por duke respektuar disa rregulla të mortit, në nisje të secilit takim do të mbahet një minutë heshtje dhe nuk do të ketë muzikë.
Në ceremominë mortore të Papa Françeskut, nga Shqipëria merr pjesë Presidenti Begaj me bashkëshorten, ministri Igli Hasani dhe ministrja Adea Pirdenji, ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, si edhe krerët e komuniteteve fetare, kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.
