Aulona Bylykbashi ka dalë si kandidatja më e votuar e PS-së nga diaspora shqiptare në zgjedhjet e 11 majit, ku garoi në listën e hapur në qarkun e Elbasanit. Ajo ka marrë plot 13,602 vota nga bashkatdhetarët që votuan nga jashtë vendit, duke u kthyer në një simbol të përfaqësimit të diasporës brenda politikës shqiptare. Pas shpalljes së rezultatit, Bylykbashi ka ndarë një mesazh të veçantë falënderimi për të gjithë ata që, ndonëse jetojnë jashtë Shqipërisë, nuk e kanë shkëputur asnjëherë lidhjen me vendin e tyre.
”Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit është një moment historik për mua personalisht, por më shumë se kaq, është një dëshmi e fuqisë që ka bashkimi ynë, pavarësisht distancave. 13,602 vota që erdhën nga diaspora janë shumë më tepër se një shifër. Ato janë 13,602 zemra që rrahin për Shqipërinë, janë 13,602 vendime për të ndikuar pozitivisht të ardhmen e këtij vendi. Janë 13,602 mesazhe që më thonë, mos harro për kë flet, për kë punon dhe për kë përfaqëson”. Duke e cilësuar diasporën si ”forcë e pazëvendësueshme e së ardhmes sonë europiane”, Bylykbashi premton të jetë një zë i fortë për bashkatdhetarët në institucionet shtetërore dhe në proceset vendimmarrëse.
”E ndiej këtë përgjegjësi me gjithë qenien time. Do të jem zëri juaj në çdo hap të punës sime. Ju nuk jeni të largët, ju jeni këtu, në mendje dhe në zemër”, thekson ajo në mesazhin e saj. Aulona Bylykbashi është një nga figurat e reja të listës së hapur në qarkun e Elbasanit, pritet të ketë një rol aktiv në Kuvendin e ardhshëm, me fokus të veçantë në përfshirjen e diasporës në zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike të vendit.
