Kryeministri Albin Kurti e quajti mendësi arkaike atë që po bën opozita me bllokimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ku në 24 seanca ende nuk është arritur që të votohet.
“Kjo situatë reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale dhe të prapambetura. Lufta kundër kryetares së GVV-së nuk është vetëm përplasje politike apo partiake, por edhe përballje gjinore. Gruaja që është votuar më së shumti nga populli i Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit është Albulena Haxhiu. Në vend që ta respektojnë popullin, e sulmojnë Albulenën,” tha Kurti.
Nga ana tjetër, edhe kandidatja për kryetare – e cila është edhe më e votuara në zgjedhje – e quajti situatën shqetësuese, duke shprehur shpresën për një zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.
