Aktivistë për paqen janë mbledhur në qytetin e Hagës, vetëm dy ditë para samitit të udhëheqësve të NATO-s, për të protestuar kundër rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe rolit të aleancës në konfliktet ndërkombëtare.
Protestës iu bashkuan edhe anëtarë të diasporës iraniane, të cilët shprehën kundërshtinë ndaj përshkallëzimit të luftës në rajon, për të cilin fajësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arno van der Veen, zëdhënës i Koalicionit Kundër Samitit për Paqe dhe Drejtësi, deklaroi:
“Nëse ka një kundërpërgjigje nga Irani, e cila do të ishte e drejtë dhe legjitime sipas të drejtës ndërkombëtare, atëherë edhe Holanda do të ishte në luftë me Iranin. Sepse një sulm ndaj njërës është një sulm ndaj të gjithave. Hapi i radhës është një luftë bërthamore. Dhe kjo është ajo që na shqetëson jashtëzakonisht shumë.”
Ai theksoi gjithashtu se rritja e arsenalit ushtarak nuk sjell siguri, por rrit rrezikun për përdorimin e tij.
Rreth 5,000 persona morën pjesë në protestë. Mesazhet e aktivistëve mbeten të pandryshuara, pavarësisht përfshirjes së konfirmuar të SHBA-ve në konfliktin me Iranin:
“Protestuesit ritheksuan bindjen se NATO nuk është një aleancë mbrojtëse, veçanërisht kur anëtari më i fuqishëm i saj merr pjesë aktivisht në luftë.”
Ndërkohë, autoritetet holandeze kanë rritur masat e sigurisë në qytet përpara samitit dhe parashikohen protesta të tjera më të vogla gjatë javës.
