Pas dritës së kuqe nga Kolegji Zgjedhor, e cila rrëzoi plot 12 ankimime të opozitës, tashmë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve I është hapur rruga për ti dhënë mandatet deputetëve fitues nga gara e 11 majit.
Bëhet fjalë për tre qarqet e fundit, përkatësisht Fieri, Elbasani dhe Durrësi. Të hënën kryekomisioneri Ilirian Celibashi pritet të shpërndajë mandatet, të cilat do të përmbyllin dhe procesin e 11 majit.
Në qarkun e Durrësit, pritet që ti jepen 8 mandate Partisë Socialiste dhe 6 mandate Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Në qarkun Fier, PS e cila fitoi bindshëm do të marrë 12 mandate ndërsa 4 do ti kalojnë opozitës. Edhe Elbasani është i njëjti precedent, ku PS do ti vulosen 10 mandatet e fituara ndërsa PD-ASHM 4 mandate.
Në këto tre qarqe më herët u rihapën kutitë për tu rinumëruar me vendin të KAS, pasi opozita pretendonte se ishin manipuluar votat gjatë procesit të numërimit në 11 maj.
Megjithatë nga rinumërimi nuk pati ndryshim mandatesh, përveç një rrokade në qarkun e Fierit nga kandidatët e PS.
Ndërkaq, opozita nuk u bind me rihapjen e kutive, pasi ankimuan në Kolegjin Zgjedhor vendimin dhe kërkuan pavlefshmëri të rezultateve të 11 majit. Por edhe aty, togat e zeza e rrëzuan kërkesën duke vulosur garën parlamentare të pranverës.
