Në vlerësim të figurës së intelektualit të shquar, gazetarit dhe njeriut të përkushtuar ndaj dijes dhe shoqërisë, Rasim Gjoka, Këshilli i Bashkisë Mat, vendosi t’i akordojë (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” të Bashkisë Mat.
Ky vlerësim i jepet Z. Rasim Gjoka për kontributin e jashtëzakonshëm si reporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), si mësues në zonën e Matit dhe pedagog në Universitetin e Tiranës, si dhe për rolin e tij thelbësor në krijimin e Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, një iniciativë që synoi forcimin e rolit të shoqërisë civile në mbarë vendin.
Intelektualë, deputetë, shkrimtarë, poetë, kolegë, familjarë dhe analistë sollën kujtimet e tyre mbi jetën dhe veprën e Rasim Gjokës, duke ndarë momente domethënëse nga rrugëtimi i tij profesional dhe njerëzor. Ata vlerësuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm në gazetari, arsim, filozofi dhe në promovimin e dialogut shoqëror përmes Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”. Kujtimet e ndara ishin një dëshmi e respektit të thellë që gëzonte Rasim Gjoka në qarqet intelektuale dhe publike të vendit, si dhe një reflektim i trashëgimisë së tij që vijon të frymëzojë breza të rinj.
Vëllai i Rasim Gjokës, shkrimtari dhe studiuesi i njohur Behar Gjoka, shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj strukturave shtetërore për vlerësimin e dhënë, duke falënderuar gjithashtu të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni mbresëlënëse. Në fjalën e tij, ai theksoi se ky nderim është një vlerësim jo vetëm për jetën dhe veprën e Rasimit, por edhe për kontributin e tij të palodhur në fushën e dijes, medias dhe paqes sociale. Ai e cilësoi këtë akt si një kujtesë të fuqishme për figurat që, me përulësi e dinjitet, kanë lënë gjurmë në historinë kulturore dhe qytetare të vendit.
“Në emër te familjes Gjoka, falenderoj këshillin bashkiak, bashkinë Mat, personalisht kryetarin e këshillit bashkiak, Altin Bojni, kryetarin e Bashkisë, Myslim Zeneli, të gjithë ata që nisën, e miratuan dhe votuan, dhënie e titullit. Falenderim dhe mirënjohje për fjalët e ngrohta dhe e të mençuar, të Frrok Çupit, Sandër Çipës, Merita Bala, Agron Malaj, Namik Dokle, Shkëlzen Gjoka, që shtuan atmosferën. Faleminderit gjithë të pranishmëve. Falenderim për Elisa Gjastën, për Sokol Metën, Elda Gjokën, etj, që dhanë ndihmë të vyer për ta realizuar atë ceremoni me kualitet. Falenderim dhe mirënjohje për të gjithë!”, shkroi Behar Gjoka në rrjetet sociale.
Me këtë titull nderi, Bashkia Mat nderon jo vetëm veprën dhe trashëgiminë intelektuale të Rasim Gjokës, por edhe shembullin e tij si qytetar i përkushtuar ndaj edukimit, paqes dhe mirëkuptimit shoqëror.


