A keni dëgjuar për depresionin e verës? Kur dëgjojmë për çrregullimin afektiv sezonal (SAD), kemi tendencë ta shoqërojmë atë me depresionin e dimrit. SAD është një lloj depresioni që tenton të ndikohet nga koha e vitit, drita dhe moti. Simptomat zakonisht ndodhin gjatë vjeshtës dhe/ose fillimit të dimrit dhe përmirësohen gjatë pranverës dhe verës.
Simptomat tipike të depresionit të dimrit përfshijnë:
• Trishtim dhe humor të ulët
• Të ndierit i pashpresë
• Energji e ulët
• Oreks i rritur
• Shtim në peshë
• Dëshira veçanërisht për ushqime të pasura me karbohidrate
• Dëshirë e tepërt për gjumë ose hipersomni
• Izolim
• Ulje e interesit në aktivitetet që më parë na pëlqenin
Ajo që vlen të përmendet është se disa njerëz përjetojnë modelin e kundërt, ku simptomat e depresionit fillojnë në pranverë ose verë. Simptomat mund të jenë të lehta dhe më pas të përparojnë dhe të bëhen më të rënda. Edhe pse shkaku i depresionit gjatë verës nuk dihet ende, faktorët e mundshëm që kontribuojnë mund të përfshijnë nxehtësinë dhe lagështinë dhe ditët më të gjata.
Janë vëzhguar edhe faktorë të tjerë stresues që ndodhin gjatë verës, të tillë si:
• Ndërprerje e rutinës/orarit/zakoneve për shkak të pushimeve ose fëmijëve që nuk janë në shkollë
• Ndryshim në gjumin dhe zakonet e të ngrënit për shkak të ndërprerjes së rutinës
• Pamundësi për të marrë pjesë në disa pushime verore ose aktivitete në natyrë për shkak të financave të kufizuara.
• Arsye shëndetësore që pengojnë pjesëmarrjen në aktivitete verore, të cilat mund të çojnë në izolim, trishtim dhe ndjenjë vetmie.
• Ankth ose shmangie e pjesëmarrjes në disa aktivitete verore në natyrë për shkak të shqetësimit për pamjen fizike.
Simptomat tipike të depresionit të verës përfshijnë:
• Trishtim dhe humor të rënë
• Ndjenjë ankthi
• Ndjenjë acarimi
• Ulje e oreksit
• Humbje peshe
• Vështirësi në gjumë dhe pagjumësi
Ndërsa është normale të përjetosh luhatje të humorit dhe disa ndryshime në oreks dhe gjumë, depresioni i verës, megjithatë, është një gjendje më e rëndë ku simptomat shkaktojnë shqetësim të konsiderueshëm ose ndërhyjnë në funksionimin tonë të përditshëm, siç është puna, shkolla ose jeta personale. Gjithashtu, nëse simptomat bëhen të rënda dhe intensive, mund të ndodhin mendime vetëvrasëse dhe ndërprerje të konsiderueshme në aktivitetet tona të përditshme.
Përballimi i depresionit të verës
Një numër trajtimesh janë gjetur të dobishme në trajtimin e depresionit të verës. Trajtimi psikologjik, siç është terapia njohëse e sjelljes e bazuar në prova, është gjetur i dobishëm. Pra, është e rëndësishme të vizitoni një profesionist të shëndetit mendor dhe të mos vuani në heshtje, veçanërisht nëse simptomat shkaktojnë shqetësim të konsiderueshëm ose ndërhyrje në funksionimin tuaj, ndiheni të pashpresë ose keni ide vetëvrasëse, përdorni alkool, nikotinë, kafeinë ose një substancë tjetër për të përballuar shqetësimin tuaj. Trajtimi i hershëm është zakonisht i preferueshëm për të arritur një rezultat pozitiv dhe për të mos zgjatur vuajtjet; ndonjëherë depresioni i verës mund të mos zgjidhet dhe të shndërrohet në një depresion klinik më të zgjatur deri në vjeshtë. Përveç trajtimeve, mund të zbatohen strategji të tjera të ndryshme përballimi për t’u përshtatur me ndryshimin e stinëve pranverë/verë:
• Shmangia e tërheqjes sociale dhe izolimit social; të qëndruarit aktiv, dalja jashtë dhe angazhimi në ushtrime të rregullta fizike; dhe mbajtja e aktiviteteve tona të rregullta ditore janë të gjitha shumë të rëndësishme.
• Mbajtja e një diete të shëndetshme dhe një orari të rregullt të ngrënies ndihmojnë gjumin, humorin dhe nivelin e energjisë sonë.
• Mbajtja e rutinës së duhur të gjumit dhe orarit të gjumit
• Mësimi nga përvojat e kaluara të pranverës dhe verës në lidhje me atë që ishte e dobishme dhe cilat aspekte të jetës sonë krijuan stres dhe ankth. Përpjekja për të zgjidhur problemet e aspekteve të jetës sonë që çuan në shqetësim në vitet e kaluara. Mund të na duhet të planifikojmë përpara dhe të kërkojmë mbështetje për zgjidhje më të mirë të problemeve.
• Vendosja e një buxheti financiar përpara pranverës për të planifikuar më mirë aktivitetet/projektet për pranverën/verën.
Këto janë disa nga shenjat e ankthit, depresionit që mund të na kapin gjatë verës por gjëja e parë që ju duhet të bëni është të vizitoni një psikolog ose edhe terapist.
