Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Përgjimi dje dhe sot

20:55 / September 7, 20258 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
IMG 3015
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Lea Ypi

“A e ke parë foton e gjyshes që të është bërë virale në Facebook?”, lexova mesazhin e një të afërmi. “Nuk ka mbetur njeri pa e përfolur atë foto”.

Fotografia bardhë e zi ishte përhapur me shpejtësi marramendëse në rrjetet sociale pas postimit nga një njeri që nuk e kisha dëgjuar apo takuar ndonjëherë. Në fotografi, një çift i ri, i veshur hijshëm, merrte pozë në verandën e një hoteli luksoz. Mbështetur në murin anësor, nën harqet e hyrjes së ndërtesës, ishin vendosur një palë ski.

Buzëqeshja e çiltër dhe shprehja fëminore e fytyrës së gruas në fotografi binte në kundërshti me vështrimin tejet serioz, pothuajse hetues të burrit në shezlongun paralel. Përmbi tavolinën e vogël anësore gjendej një paketë cigaresh, ndërsa nën tavolinë dallohej një çantë, nga ato që dhurohen në dyqanet e rrobave të shtrenjta, elegante por pa tepri. Me pak vështirësi mund të lexohej mbishkrimi: “Hotel Vittoria”.

Nuk kisha nevojë të lexoja më shumë për të dalluar në atë fotografi gjyshërit e mi, Lemanin dhe Asllanin. Nga veshjet dimërore, emri i hotelit dhe skitë në sfond dukej qartë se fotografia ishte shkrepur gjatë muajit të tyre të mjaltit në Cortina d’Ampezzo. Gjyshja më fliste shpesh për ato dhjetë ditë të vitit 1941 në dëborën e Dolomiteve.

“Ndihesha njeriu më i lumtur në botë”, rrëfente e mallëngjyer, “ndërsa Cortina ishte vendi më magjepsës që mund të gjendej”. Ja ashtu, vërtet, ngulte këmbë gjithnjë, sikur të perceptonte një lloj qortimi në heshtjen time, pasi ndodheshin në Itali për pushime, ndërkohë që atë dimër në gjithë Evropën vërshonin lumenj gjaku.

Vite më pas, kur ajo nuk jetonte më, e mbase pikërisht për këtë arsye, pyetja se si mund të përjetohej çasti më i lumtur i jetës pikërisht në dimrin e vitit 1941 më përndiqte kudo. Nuk arrija dot të përputhja rrëfimin e lumturisë së atyre javëve me njohuritë e mia rreth ngjarjeve historike në Shqipëri e gjetkë.

Operacioni Barbarossa në Bashkimin Sovjetik, sulmi në Pearl Harbor, betejat e vazhdueshme në Jugosllavi, të gjitha këto lajme duhet të kishin zënë faqet kryesore të gazetave pikërisht teksa ajo rrëshqiste shkujdesur me ski, duke shijuar ajrin e freskët dimëror. Si mund të ishte aq shpërfillëse ndaj episodeve më mizore të luftës më të pashpirt që njerëzimi kish përjetuar ndonjëherë?

Nuk e njihja aspak si të tillë, as në karakter e as në botëkuptim. Mos vallë ishte një nga ato trillet e natyrshme të kujtesës, kur përshkrimi i një gjendjeje shpirtërore të hershme diktohet jo edhe aq nga përvoja e shkuar se sa nga hidhërimet e së tashmes? Fatkeqësisht, nuk kishte mbetur asgjë për të kërkuar: të gjitha kujtimet e familjes ishin zhdukur vetëm pesë vjet pasi ishte shkrepur ajo foto, “kur erdhën e na morën gjithçka”, më rrëfente shpesh ajo.
________

Gjyshja ime, Leman Ypi, mbiemri i vajzërisë Leskoviku, kishte lindur në Selanik në vitin 1918, në një derë pashallarësh me origjinë shqiptare. Dikur një qendër e rëndësishme kozmopolite në të cilën myslimanë si ajo kishin jetuar në paqe përkrah hebrenjve sefardikë, të krishterëve dhe ateistëve, asokohe qyteti po përjetonte ndryshime rrënjësore – jo gjithnjë të mirëpritura. Me rënien e perandorive Habsburge, Ruse dhe Osmane, proteksionizmi dhe nacionalizmi sa vinte e po të rriteshin, bashkë me manipulimin e konflikeve mes grupeve të ndryshme.

Për t’i shpëtuar trazirave të kohës, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, vendosi të shpërngulej në Shqipëri e vetme. Po në ato vite u njoh me tim gjysh – jurist i diplomuar në Sorbonë, simpatizant i Léon Blumit dhe Frontit Popullor Francez, bir i një politikani konservator në zë. Në vitin 1941 u martuan. Në vitin 1946, menjëherë pas përfundimit të luftës, i shoqi – im gjysh – u arrestua nga komunistët dhe u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg nën akuzën “agjitacion e propagandë” .

Një vit më vonë, nga Ministria e Brendshme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dega e Sigurimit të Shtetit, hapi një dosje përgjimi për Lemanin. Ajo u vu nën mbikëqyrje, e dyshuar si spiune greke. E mbetur vetëm, me një djalë të vogël, u urbanizua jashtë Tiranës dhe filloi punë në një fermë. Rreth dy herë në vit, vizitonte të shoqin në burg, deri në lirimin e tij aty nga vitet gjashtëdhjetë. Katër herë në vit, thirrej në zyrat e Sigurimit me ofertën për t’u regjistruar si bashkëpunëtore.

Këto ishin faktet e njohura nga unë rreth jetës së gjyshes kur ajo fotografi e rinisë së saj u shfaq papritur në rrjetet sociale. Në fillim nuk m’u duk aspak çudi që po e gjeja pikërisht aty, aq thellë isha zhytyr në mendime rreth kontrastit me skenave të përfytyruara në Hotel Vittoria dhe pamjes së çiftit në foto. Pastaj ja filluan komentet fyese. Mos vallë kjo grua kishte lidhje me Lea Ypin, atë profesoren që siç flitej paguhej nga Sorosi për të sjellë filozofinë “woke” në Shqipëri?

“Është e gjyshja” sqaronte njëri prej përdoruesve. “Ka qenë spiune fashiste”.

“Jo, jo spiune fashiste – spiune komuniste”, ndërhynte një i dytë.

“Në fakt, edhe fashiste edhe komuniste”, sqaronte i treti.
________

Ka diçka brenda shpirtit njerëzor, thoshte gjithnjë gjyshja ime, që përballon çdo fyerje, çdo dhunim, çdo përpjekje për ta poshtëruar – diçka që e dallon njeriun nga bisha, e cila kujdeset vetëm për mbijetesën saj fizike. Është ajo diçkaja që e quajmë dinjitet.

Ishte një koncept përmes të cilit dukej se kishte gjetur një mënyrë për t’u pajtuar me kthesat, të përpjetat e të tatëpjetat e jetës së saj – e vetmja gjë që besonte se kishte ruajtur edhe mes tragjedive më të mëdha. “Humbëm gjithçka”, më thoshte shpesh, “por nuk e humbëm dinjitetin, sepse dinjiteti nuk ka të bëjë me paratë, nderimet apo titujt. është thjesht vullneti i mirë për të bërë atë që duhet”.

Dhe me këto deklarata, ajo mund ta mbronte veten. Por duke u përballur me ato komente në rrjet kuptova se vdekja e kishte bërë të pafuqishme, të heshtur para historisë, të pamundur për të mbrojtur trashëgiminë që kishte lënë pas.

Teksa i përshkoja me sy ato rreshta, unë prapëseprapë, ndihesha e fortë. Fundja kisha të drejtën të zgjidhja: t’u përgjigjesha ose t’i injoroja, të përfshihesha në atë lojë apo të ekspozoja mashtrimin e lojtarëve. Mund t’i fshija nga kujtesa kalimtarët e rrjetit, mund të ndërmerrja nisma për kontroll më të rreptë të postimeve të tyre ose mund të shkëputesha, të arratisesha larg atij kurthi virtual. Ndërsa ajo, gjyshja që s’është më, duhet të vuante përjetësisht dënimin me heshtje.

Teksa karikatura e saj merrte formë në murin e botës virtuale, e privuar nga çdo mirëkuptim i rrethanave, i kujtesës, i provave objektive, madje edhe nga dashamirësia më e rëndomtë me të cilën u qasemi të huajve kur i ndeshim për herë të parë në botën reale, zëri i saj ishte përfundimisht i mbytur në pusin e kohës. Ndërsa unë ndjeja përgjegjësinë të veproj. Dhe nga kjo dilemë kishte vetëm një rrugëdalje. Të kërkoja origjinalin. Të kthehesha në burimin e gjithçkaje. Burim i cili siç mësova shumë shpejt quhej “Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit“, shkurt arkivi ku ruhen dosjet e përgjimit të viktimave të komunizmit.
________

I kisha përfytyruar vizitat e mia në atë vend si kthime të trishta në një fushëbetejë të kahershme: një labirint i errët, rrëqethës, kutërbues nga era e mykut dhe aroma e vdekjes ku, mbi dyshemenë prej betoni, njeriu kapërcen pirgjet e letrave të vendosura si trupa të pajetë në pritje të identifikimit. Por ja që asgjë nuk mund të ishte më larg parafytyrimeve të mia në atë vend të mbuluar me pllaka gri të shndritshme e mure të bardha të sapolyera.

Simetria në vendosjen e mobiljeve të kujtonte rreptësinë e linjave të Mondrianit, por pa pastërtinë e ngjyrave të tij, në një dekor hibrid si përzierje e një dyqani mobiljesh Ikea me sallë pritjeje spitali. Në hyrje, punonjës të veshur me përparëse të bardha e të hekurosura për merak, si ato të mjekëve kur sapo marrin turnin, më përshëndesnin në çdo fillimvizite me buzëqeshje të përzemërt. Vetëm atyre u lejohej të zbrisnin nën dysheme, në bodrumin ku ruheshin dosjet origjinale. Unë vetë mund të konsultoja vetëm dosjet digjitale.

Edhe për nga përmbajtja dosjet ishin goxha zhgënjyese. Lista e lista të stërgjata me emra rrugësh, krahas orareve gjatë të cilave “objekti” i kishte përshkuar ato, si një lloj Google Map-i parahistorik. Për shembull: “U mor në survejim ne datën 19.02.52 ne orën 14.30 ne rrugën Bardhyl, Nr. shtëpi 42. Objekti doli nga shtëpia në orën e sipërme e përshkoi rrugën Bardhyl, Qemal Stafa, Barrikadave, 28 Nëntori, Hamdi Mezezi, Hamdi Toptani dhe në orën 12.05 u fut ne Ministrinë e Arsimit”.

tirananews.al
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Si të merrni pronësinë mbi truallin shtetëror që keni në përdorim, njoftimi i rëndësishëm i Kadastrës

12:48 / February 10, 2026

“5 hapat për ta futur Ukrainën në BE në vitin 2027”, Politico risjell deklaratën e Ramës

11:55 / February 10, 2026

“365 ditë paraburgim pa proces të rregullt”, firma ligjore: Rasti Veliaj, simbol i persekutimit politik në Shqipëri

11:37 / February 10, 2026

Ndodh në Laprakë, polici i nxjerr armën qytetarit pas sherrit

10:37 / February 10, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.