Sot, më 12 shtator, bëhen 27 vite nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari, ngjarje e ndodhur pranë selisë së Partisë Demokratike në vitin 1998. Në atë kohë, Hajdari u qëllua për vdekje, në një atentat që Partia Demokratike e cilësoi si vrasje politike, duke akuzuar qeverinë e Fatos Nanos për përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Partia Demokratike zhvilloi sot, më 12 shtator, homazhe te memoriali i Azem Hajdarit në qendër të Tiranës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familjarët e tij si dhe kreu i selisë blu, Sali Berisha por edhe mbështetës të Hajdarit. Berisha tha se tani është momenti të ‘ngrihemi të rrëzojmë Ramën’.
Fjala e Berishës:
Në këtë përvjetor, të rënies së tij për të mbetur i pavdekshëm, Azem Hajdari, së bashku me sivëllaun e tij, Besim Çerja, janë më të gjallë se kurrë, në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Idealet e Azem Hajdarit, sot janë më kushtruese, më ftuese se kurrë që nga viti 1990 e gjer në këtë moment, mbasi Shqipëria është zhytur sot në formën më të shëmtuar të diktaturave, që është diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Sot pluralizmi për të cilin Azem Hajdari dhe studentët liberatorë ecën drejt sakrificave sublime, për rivendosjen në Shqipëri të pluralizmit, defakto është i shtypur, i dhunuar.
Sot vota e lirë nuk ekziston, fjala e lirë është në satrin e xhelatëve të pushtetit, në satrin e Edi Ramës, siç ishte ajo në diktaturën tjetër kur i atij i tij xhelat firmoste varje të poetëve, ekzekutim të qytetarëve për fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Sot është një ditë betimi do të thosha për çdo demokrate e demokrat shqiptar, për çdo deputete dhe deputet të PD, për çdo drejtuese dhe drejtues të kësaj partie dhe mbështetësit e saj, që të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë, për të çliruar Shqipërinë, për të shpëtuar pluralizmin, për të shpëtuar votën e lirë, për të rikthyer votën e lirë, për të shpëtuar fjalën e lirë.
Dhe njëherë të gatshëm për çdo çmim, për çdo sakrificë, mbasi liria ka çmim, liria dhe dinjiteti kërkojnë sakrifica.
Unë kam bindjen se, demokratët shqiptarë, opozitarët shqiptarë pavarësisht nga ditët e vështira, do ti tregojnë Shqipërisë dhe botës dhe njëherë se, ata janë në armiqësi për jetë a vdekje me armiqtë e lirisë.
Janë në armiqësi me armiqtë e fjalës së lirë, dhe dinjitetit njerëzor dhe se do rikthejnë përsëri në këtë vend, vlerat e lirisë, idealet më të larta njerëzore, votën e lirë, fjalën e lirë.
