Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një dalje për mediat tha se Rama në 2007-tën ka shtyrë zgjedhjet për 1 certifikatë, ndërsa sot Kushtetuta për kryeministrin është tabu.
“Kryeministri i vendit ka qarë dhe ka çjerrur zemren dhe gjoksin duke folur për Kushtetutën dhe se si e pengon Kushtetuta zgjidhjen politike, pra mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duke thënë që Kushtetuta është ajo pengesa e pakapërcyeshme që ne të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pluraliste dhe jo moniste. Pra, për Edi Ramën në vitin 2007 Kushtetuta nuk ishte tabu. Sot Kushtetuta për Edi Ramën është tabu. Për Edi Ramën, Kushtetuta ishte një mekanizëm i gjallë në vitin 2007. Sot në 2019 është një mekanizëm i vdekur. Pra Edi Rama, shqip dhe thjesht nuk do të bëjë zgjedhje në Shqipëri. Ashtu sikurse nuk deshi dhe vendosi dhe nuk bëri zgjedhje as në partinë që ai drejton dhe kushti i vetëm në atë parti. Pra modelin e Partisë Socialiste që nuk bënë zgjedhje, do t’ua imponoj dhe shqiptarëve. Edi Rama ka vetëm një pikësynim të dashur qytetarë. Kërkon që në Shqipëri të ketë monizëm. Të ketë votime, por jo të ketë zgjedhje. Sepse çdo qytetarë shqiptarë e kupton që në zgjedhjet që ky pretendon të bëjë dhe që nuk do ti bëjë dot kurrë sepse nuk ka shqiptarë që të pranoj që treçereku i Shqipërisë ka vetëm një kandidat. Dikur kishte kandidat të frontit, të gruas, të partisë, të organizatave të masave. Sot janë kandidatët e Rilindjes të vetëm, të cilët do të konkurrojnë me veten e tyre”, tha Vasili.
Koha e të vërtetës ka ardhur dhe po troket te pragu i derës, tha Vasili duke ftuar qytetarët në protestën e 2 qershorit. “Edi Rama pretendon për dënime për pengimin e zgjedhjeve, por unë sot publikisht po them qartë dhe prerë. I vetmi njeri që i duhet nënshtruar një procesi të rreptë penal është Edi Rama, sepse ai po pengon zgjedhjet e lira pluraliste dhe të ndershme, duke kërkuar të vendosë monizmin, i cilië shtë një shkelje e hapur e Kushtetutës. Ai po pengon zbardhjen e krimit zgjedhor dhe rrëmbimin e zgjedhjeve nga krimi. Ai po pengon qartazi dhe me të gjitha instrumentat e veta duke kapur drejtësinë zbardhjen e korrupsionit të frikshëm dhe galopant”, tha ai.
